Escobar e Lajçak hyjnë në takim me kryeministrin Kurti
Prishtinë - Delegacioni i përbërë nga përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, hynë mbrëmjen e kësaj të hëne në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Arsyeja e takimit është për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe të Uashingtonit në lidhje me hapat urgjentë që duhen ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës. Takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet të zgjasë dy orë.
Sipas REL, takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta më vonë.
Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe në 6 qershor.
Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve./syri/