Scholz: Po punojmë të zgjidhim situatën ‘vërtet të vështirë’ midis Kosovës dhe Serbisë
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se janë duke punuar shumë që ta zgjidhin situatën që ai e ka cilësuar si “vërtet të vështirë” mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin grek të martën, Scholz ka thënë se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit të Ballkanit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE, njofton RTK.
“Po punojmë shumë për ta zgjidhur situatën vërtet të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi gjithmonë në anën e procesit të anëtarësimit”, ka thënë Scholz.
Olaf Scholz, bashkë me liderët e tjerë evropianë, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 26 tetor në Bruksel në përpjekje për të bindur liderët e Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve. Aty u paraqit draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e pranoi Kurti, por kërkoi nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilën refuzoi ta bënte Vuçiqi.