Nëntor 21, 2023 10:16 Europe/Tirane
  • Kurti: Serbia ka 48 baza operacionale përreth kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se Serbia ka ngritur 48 baza operacionale përreth kufirit me Kosovën.

Gjatë takimit të zhvilluar ditën e hënë me përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, Kurti ka theksuar se në lidhje me procesin e dialogut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për çuarjen përpara të këtij procesi. 

“Kryeministrin Kurti shprehu falënderimin e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës që para çlirimit e deri më sot, ndërkohë që e njoftoi me rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit. Në lidhje me procesin e dialogut, Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci. Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, bëhet e ditur se, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rrit nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor.”-, thuhet në njoftimin zyrtar nga zyra e kryeministrit të Kosovës.

 

Tags