Nëntor 26, 2023 08:15 Europe/Tirane
  • Dy goditjet diplomatike që Serbia i mori brenda 48 orëve, së pari Kroacia e më pas edhe Sllovenia

Skandali i ri diplomatik i Serbisë… Pas dëbimit të diplomatit kroat dhe reagimit reciprok të atij vendi, u tronditën edhe marrëdhëniet diplomatike me Slloveninë. Siç raportojnë mediat lokale, Lubjana zyrtare ka refuzuar të aprovojë emërimin e Zoran Gjorgjeviqit si ambasador të Serbisë.

Për Zoran Gjorgjeviqin do të ishte më mirë të mos kishte blerë para kohe një biletë për në Lubjanë, sepse mund t’i ndodhë që ta hedhë tutje ose të kërkojë rimbursim.

Për shkak të “pengesave formale të natyrës së sigurisë”, Sllovenia nuk ka dhënë aprovim, pra pëlqim, që Gjorgjeviq të jetë ambasador i Serbisë. Autoritetet sllovene nuk hyjnë në detaje rreth këtij refuzimi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë nuk komenton procedurat për dhënien e aprovimit/pëlqimit për shefat e misioneve diplomatike në Republikën e Sllovenisë, njoftoi Ministria.

As gazeta sllovene “Delo” e cila e ka transmetuar lajmin dhe as N1 nuk kanë marrë më shumë informacion. Dhe duket se e njëjta përgjigje ka mbërritur edhe në Beogradin zyrtar.

Pra, në mungesë të të dhënave, presidenti serb, Vuçiq përsëri përmend një mbiemër që shërben si mbrojtje ndaj pyetjeve.

“Nga shërbimet e sigurisë më thanë se ishte ndikimi i Sholakut në vendimmarrësit politikë në Slloveni, por unë u thashë se nuk e besoja këtë. Mund të ketë edhe një arsye tjetër, do të pres të shoh si president i republikës, vendit tonë, qeverisë… do të presim të shohim se cilat janë arsyet reale, formale”, tha Vuçiq.

Në diplomaci, gjëra të tilla zakonisht nuk bëhen publike dhe Qeveria e Sllovenisë nuk duhet të shpjegojë arsyet e refuzimit të dhënies së aprovimit, vë në dukje ish-diplomati Sreçko Gjukiq.

Ai shton se marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan goditje.

“Ajo që duhet të shpjegojë qeveria jonë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme – jo çfarë kërkoi Sllovenia dhe çfarë tha Sllovenia, por të shpjegojë se si erdhi ky skandal”, tha Gjukiq për N1.

Por për momentin nuk ka një shpjegim të tillë. Meqë ra fjala, interesant është vetë fakti që Gjorgjeviq ishte konsideruar për ambasador, duke qenë se presidenti Vuçiq e ka kritikuar vazhdimisht për rezultate të këqija, siç ishin disa ditë më parë për shkak të goditjeve në “Posta e Serbisë”, ku aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit.

Ish-diplomati Gjukiq thotë se me diplomacinë futen njerëzit që nuk kanë lidhje me diplomacinë.

“Aty gjejnë strehë të gjithë ata që kanë dështuar në profesione të tjera, në fusha të tjera. Epo, si shpërblim, ai bëhet ambasador. Nuk më befason aspak, mendoj se ky trend do të vazhdojë”, thotë Gjukiq.

 

Tags