Greqia dhe Turqia në kurs shtensionimi
Kryeministri grek Kyriakos Micotakis dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nënshkruan në takimin e tyre në kryeqytetin e Greqisë Athinë një deklaratë miqësie.
Presidenti turk Erdogan tha se bisedimet kishin qenë shumë të frytshme. Ai e ftoi Mitsotakisin për një vizitë në Turqi. Në të ardhmen pritet të rritet bashkëpunimi në fusha të tilla si turizmi, tregtia, energjia, por edhe lidhur me migrimin, teknologjinë dhe arsimin. Paralelisht me bisedimet mes Micotakisit dhe Erdoganit, për këto fusha ranë dakord ministrat e të dyja vendet, të cilët zhvilluan në Athinë bisedime pune në kuadër të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit.
Erdogani takoi gjithashtu presidenten greke, Katerina Sakellaropulu. Në komentet e dhëna për televizionet ai tha se beson se “takimi për bashkëpunimin strategjik Turqi-Greqi do të çojë në një epokë të re” në marrëdhëniet, duke shtuar se “ne duhet të jemi optimistë dhe ky optimizëm do të jetë i frytshëm në të ardhmen”.
Dyfishimi i tregtisë
Ndër të tjera, dy vendet anëtare të NATO-s, Greqia dhe Turqia, ranë dakord që në pesë vitet e ardhshme të dyfishojnë vëllimin tregtar mes tyre në 10 miliardë dollarë. Po ashtu, në sektorin e turizmit, qytetarët turq mund të marrin lehtësisht në të ardhmen viza njëjavore për të pushuar në dhjetë ishuj grekë pranë bregdetit turk. Për këtë marrëveshje, Athina kishte marrë më parë miratimin nga BE-ja.
Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit u takua për herë të fundit në vitin 2016. Që atëherë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje ishin përkeqësuar dukshëm. Në të ardhmen parashikohet që takimi i Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit mes të dy vendeve të zhvillohet çdo vit.
Greqia dhe Turqia vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të mëdha ndër të tjera lidhur me disa çështje të drejtash sovraniteti në Detin Egje dhe të drejtën për të nxjerrë dhe shfrytëzuar burime të ndryshme, si p.sh. gaz natyror nën shtratin e detit.
Erdogan: Të gjitha problemet mund të zgjidhen
Micotakis tha se shpreson se edhe këto çështje mund të tejkalohen. Këtë e mbështeti edhe presidenti Erdogan, i cili theksoi: “E them hapur, nuk ka asnjë problem mes nesh që nuk mund ta zgjidhim”. “Ne duam ta kthejmë Egjeun në një det paqeje. Përmes hapave të përbashkët që do të bëjmë si Turqi dhe Greqi, duam të jemi shembull për botën”, shtoi Erdogani.
Greqia dhe Turqia janë prej kohësh rivalë në rajon, por pasi Greqia dërgoi në Turqi trupa shpëtimi dhe ndihma pas tërmetit në muajin shkurt, prej të cilit gjetën vdekjen paktën 50,000 vetë, lidhjet janë bërë më të ngushta. Po ashtu, vizita e Erdoganit në Turqi konsiderohet si pjesë e përpjekjeve të tij për të rivendosur marrëdhëniet shpesh të vështira me aleatët perëndimorë./Syri