Dhjetor 19, 2023 09:32 Europe/Tirane
  • OSBE i cilësoi të parregullta/ Administrata e Biden nxiton të njohë fitoren e Vuçiçit dhe nuk përmend komentin e OSBE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë komentuar pretendimet për parregullsi në zgjedhjet e mbajtura më 18 dhjetor në Serbi.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha të hënën se SHBA-të po presin të punojnë me Serbinë për të konsoliduar demokracinë në vend, duke i njohur kështu de facto zgjedhjet e fundit atje.

“Ne mirëpresim mundësinë për të vazhduar punën me qeverinë e ardhshme të Serbisë, për të forcuar qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit dhe për të avancuar në stabilitetin rajonal”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Miller tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë gjithashtu të punojnë me Serbinë në një “rrugë të përshpejtuar” drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian por edhe për rritjen ekonomike të saj.

Presidenti Aleksandar Vuçiç shpalli fitoren e thellë të partisë së tij, ndërsa e para që e përshëndeti si arritje, ishte diplomacia ruse. Pavarësisht se opozita ngriti zërin për një proces të manipuluar zgjedhor, fakt ky i mbështetur edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE. Sipas tyre në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kishte parregullsi duke përfshirë blerjen e votave.

Miller tha se Shtetet e Bashkuara ishin në dijeni të gjetjeve të OSBE-së, porse ato ishin paraprake dhe jo përfundimtare. “Ne jemi duke i shqyrtuar ato pretendime dhe nuk do të doja të komentoja derisa të dilet në një konkluzion përfundimtar”, përfundoi Miller./Syri

 

Tags