OSBE për zgjedhjet në Serbi: Blerje votash dhe manipulim mediatik
“Zgjedhjet e parakohshme në Serbi u karakterizuan nga kushte të pabarabarta që favorizonin Partinë Progresive Serbe”, kështu i cilëson OSBE votimet e 17 dhjetorit në Serbi, ndërsa vë në dukje shqetësimet për blerje votash dhe anësi mediatike.
“Ne vumë re probleme të ndryshme, përfshirë raste të shpeshta të moszbatimit të votimit sipas procedurës, mbipopullim në qendrat e votimit, votim në grup dhe masa të pamjaftueshme për të garantuar sekretin e votës. Gjithashtu, u vunë re raste të rënda të parregullsive, si blerje votash dhe mbushje të kutive të votimit”, tha kryetari i delegacionit të OSBE-SHBA, Farah Karimi.
Vëzhguesit ngrenë shqetësimin e medias së politizuar, duke vënë në dukje ndikimin e madh të presidentit Vuçiç. “Pavarësisht numrit të madh të mediave, ndikimi i rritur nga partia në pushtet mbi median publike të vendit, e cila është e dominuar rëndë nga mbulimi pozitiv i presidentit, rezultoi në kushte të parregullta dhe të pabarabarta për konkuruesit. Gjithashtu, u shprehën shqetësime në lidhje me mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe trajtimin e aktivistëve, individëve LGBTI, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve që janë përballur me kërcënime dhe ndjekje”, tha ai.
Aleanca Opozitare SPN në Serbi i cilësoi zgjedhjet si të vjedhura, duke akuzuar qeverinë për manipulimin e rezultatit, ndërsa kërkoi gjithashtu përsëritjen e zgjedhjeve në kryeqytetin Beograd.
Vëzhguesit e OSBE-së i kërkuan qeverisë serbe të adresojë në mënyrë të menjëhershme parregullsitë. OSBE ka vënë re plot parregullsi në raportin paraprak të zgjedhjeve në Serbi. Sipas OSBE-se, në shumë raste janë konstatuar shit-blerje votash, ndërsa mbulimi mediatik ishte i pabarabartë.