Janar 06, 2024 08:25 Europe/Tirane
  • Biden mbështeti Vuçiç? Kirby: Qasja e SHBA ndaj Ballkanit s'ka ndryshuar

Qasja e Uashingtonit ndaj Europës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar. Këtë kujdeset të theksojë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, pasi 'Washington Post' deklaroi se Presidenti Joe Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb Aleksandër Vuçiç në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia"

Kirby nuk bën komente të mëtejshme në reagimin për Zërin e Amerikës.

Në artikullin redaksional, media amerikane e cilëson si të dështuar qëndrimin e Biden. Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.

'Washington Post' shkruan se Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç “akuzuan Perëndimin për protestat” dhe i quajtën ato “një përpjekje për të rrëzuar qeverinë”.

“Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit dhe duke u rreshtuar me Moskën, Vuçiç fiton pikë para grupeve nacionaliste, ndërsa kundërshtarët e tij demokratë, i etiketon si shërbëtorë të interesave të huaja”.

'Washington Post' thotë se Presidenti serb në takimet private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij ‘i pabindur’ të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.

Sipas 'Washington Post', administrata Biden e bazoi politikën e saj paqëtuese, tek garancitë që Vuçiç u ka dhënë privatisht.

Artikulli thekson se pavarësisht gjurmëve serbe në krizat e rrezikshme gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje, SHBA kanë shmangur fajësimin e qartë të njërës palë./Syri

 

Tags