Shtator 22, 2021 13:56 Europe/Tirane
  • Pakti midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë vazhdon të helmojë marrëdhëniet e dy anëve të Atlantikut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi në Nju Jork se anëtaret e Aleancës duhet të qëndrojnë të bashkuar pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi përfundimin e kontratave për shitjen e nëndetëseve franceze në Australi si pjesë e partneritetit të ri strategjik midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.

Stoltenberg tha se anëtaret e NATO-s nuk duhet të lejojnë që mosmarrëveshja midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të çojë në një ndarje të përhershme. Udhëheqësit e BE-së kanë mbështetur Francën në një mosmarrëveshje mbi vendimin e Australisë për të hequr dorë nga një marrëveshje me francezët për të blerë nëndetëse dhe për të nënshkruar një marrëveshje trepalëshe të sigurisë Azi-Paqësori me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Sidoqoftë, Stoltenberg nuk mbështeti asnjërën palë. Zyrtarët francezë kanë dënuar vazhdimisht përfundimin e marrëveshjes dhe partneritetin e ri strategjik të tre vendeve, duke e konsideruar atë një tradhti. Ministrat e Jashtëm të BE-së shprehën mbështetje për Francën pas takimit në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Australia pretendon se marrëveshja per nëndetëset i referohet mbrojtjes së interesave të saj strategjike mes shqetësimeve të përgjithshme për rritjen e ndikimit të Kinës. Kanbera zyrtare anuloi blerjen e 12 nëndetëseve franceze me naftë, me vlerë 66 miliardë dollarë, dhe në vend të kësaj vendosi të blinte të paktën tetë nëndetëse bërthamore teknologjikisht të përparuara nga Britania e Madhe dhe SHBA. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që mosmarrëveshja nuk duhet të prishë marrëdhëniet e tyre të përgjithshme me Francën./ParsToday