Janar 14, 2022 20:14 Europe/Tirane
  • Koreja e Veriut lëshon dy raketa të tjera pasi paralajmëroi SHBA-në për sanksionet

Koreja e Veriut raportohet të ketë lëshuar të paktën dy raketa balistike vetëm disa orë pasi dënoi një "provokim" të SHBA për sanksione të reja dhe paralajmëroi për një reagim të fortë.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) tha të premten se kishte zbuluar ato që supozohej se ishin dy raketa balistike me rreze të shkurtër (SRBM) të lëshuara në drejtim të lindjes nga Provinca e Pyongan-it në bregun perëndimor të Koresë së Veriut, pranë kufirit me Kinën. Roja bregdetare e Japonisë tha gjithashtu se kishte zbuluar "lansimin nga Koreja e Veriut të asaj që duket të jetë një ose disa raketa balistike në orën 14:55 (0555 GMT). Testi do të ishte i treti i këtij lloji i kryer nga Pheniani që nga fillimi i Vitit të Ri. Herët të premten, Koreja e Veriut mbrojti testet e fundit të raketave si një e drejtë legjitime për vetëmbrojtje, duke paralajmëruar një përgjigje të fortë nëse Uashingtoni vazhdon me lëvizjen e tij provokuese për të vendosur sanksione të reja ndaj Phenianit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se testimi i fundit raketor i asaj që SHBA pretendon të jetë një "armë e tipit të ri" ishte vetëm pjesë e përpjekjeve të Koresë së Veriut për të modernizuar aftësitë e saj të mbrojtjes kombëtare dhe nuk synonte ndonjë vend specifik ose të dëmtonte sigurinë e vendeve fqinje. Një deklaratë e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA nënvizoi se Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë qëllimisht situatën duke vendosur sanksione të reja ndaj Phenianit. "Akuza e SHBA-së për ushtrimin legjitim të së drejtës për vetëmbrojtje nga DPRK-ja është një provokim i dukshëm dhe një logjikë gangstere," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut. Zëdhënësi paralajmëroi për një "reagim më të fortë dhe të sigurt" të paspecifikuar nëse Shtetet e Bashkuara miratojnë një qëndrim konfrontues./ParsToday