Janar 20, 2022 17:05 Europe/Tirane
  • Rusia: Kërcënimet e Amerikës tensionojnë situatën

Kremlini tha të enjten se paralajmërimi i presidentit amerikan Joe Biden për pasoja katastrofike për Rusinë në rast se ajo pushton Ukrainën nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve, madje ato e destabilizojnë më tej situatën.

Deklaratat e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov vijnë pas parashikimit të Biden, i cili deklaroi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën. Peskov tha se prej 1 muaji, Rusia është përballur me kërcënime nga Perëndimi nëse pushton Ukrainën, por ato nuk shërbejnë për zbutjen e tensioneve. Peskov tha se Moska kishte frikë se kërcënimet me sanksione nga SHBA-të mund ta inkurajonin Kievin të përpiqej të zgjidhte me forcë konfliktin tetë-vjeçar me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Të premten, pritet që sekretari amerikan i Shtetit, Blinken dhe homologu i tij rus, Sergej Lavrov të takohen në Gjenevë lidhur me situatën e tensionuar në Ukrainë. Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden i dërgoi një paralajmërim të hapur homologut rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mendon se Putini e dëshiron një luftë të plotë, por as nuk e përjashton si mundësi. Ai tha se Moska do të paguajë një “çmim të lartë” nëse kryen një sulm ushtarak. Biden la të kuptohet se do të kufizojë qasjen e Rusisë në sistemin bankar ndërkombëtar nëse Moska pushton më tej Ukrainën./ParsToday