Mars 04, 2022 12:03 Europe/Tirane
  • Rusia bllokon aksesin në organizatat perëndimore të lajmeve

Rusia ka kufizuar aksesin në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, pasi Bashkimi Evropian dhe Britania bllokuan mediat ruse në një lëvizje të paprecedentë për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.

Rusia kufizoi aksesin në mediat BBC, Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, Deutsche Welle dhe media të tjera për përhapjen e informacionit "të rremë", njoftoi të premten agjencia e lajmeve RIA. “Arsyeja për kufizimin e aksesit në këto burime ishte qarkullimi i tyre i qëllimshëm dhe sistematik i raporteve që përmbanin informacion të rremë”, tha mbikëqyrësi rus i komunikimit Roskomnadzor. Ai tha se informacioni i rremë lidhej me "thelbin e operacionit special ushtarak rus në Ukrainë, formën e tij, metodat e operacioneve luftarake (sulme ndaj popullatës, goditje në infrastrukturën civile), humbjet e forcave të armatosura ruse dhe viktimat civile. Të mërkurën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha në një deklaratë se mediat ruse RT dhe Sputnik do të ndalohen në Bashkimin Evropian "me efekt të menjëhershëm për dezinformimin sistematik" mbi luftën në Ukrainë. “Sot, ne po ndërmarrim një hap të rëndësishëm kundër operacionit të manipulimit të Putinit dhe po mbyllim rubinetin për mediat ruse të kontrolluara nga shteti”, tha Borrell. Sipas sanksionit, operatorët e BE-së do të ndalohen të transmetojnë, lehtësojnë ose kontribuojnë në shpërndarjen e çdo përmbajtjeje të RT dhe Sputnik./ParsToday