Mars 08, 2022 14:55 Europe/Tirane
  • Biden shpall ndalimin e naftës dhe gazit rus në Amerikë!

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të martën një ndalim të plotë të SHBA për importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit.

Embargoja e importeve të energjisë u vendos në koordinim të ngushtë me aleatët,” tha Biden. Ai tha  gjithashtu se lufta në Ukrainë është një shenjë se tashmë bota duhet të jetë e pavarur në furnizimin me energji. “Ne po ndalojmë të gjitha importet e naftës, gazit dhe energjisë ruse. Kjo do të thotë se nafta ruse nuk do të jetë më e pranueshme në portet amerikane dhe populli amerikan do t’i japë një goditje tjetër të fuqishme Presidentit Vladimir Putin. Kriza në Ukrainë është një sinjal se ne duhet të jemi të pavarur në energji. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Putin. Ky ndalim do të shtojë më shumë presionin ndaj Putin.” Pas SHBA-ve, edhe Britania ka ndaluar importet e naftës ruse deri në fund të vitit. Lajmin e ka bërë me dije ministri i biznesit, Kwasi Kwarteng. Kwarteng tha se ai po "shikon opsione" për t'i dhënë fund përdorimit të gazit natyror rus - i cili përbën 4% të furnizimit britanik. Nga ana tjetër edhe Bashkimi Evropian bëri  publik planet për të eliminuar varësinë e tij nga energjia ruse. BE thotë se do të shkurtojë importet e gazit rus me dy të tretat këtë vit dhe do të eliminojë nevojën e saj të përgjithshme për naftë dhe gaz rus përpara vitit 2030. Bashkimi Evropian varet nga Rusia për rreth 40% të gazit të saj natyror. Rusia gjithashtu furnizon rreth 27% të naftës që BE importon çdo vit. Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak tha të hënën se Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz për Gjermaninë nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 si  hakmarrjeje ndaj kancelarit Scholz që bllokoi projektin e gazsjellësit Nord Stream 2./ParsToday