Gjermania, strategji të re për sigurinë
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha në Berlin se veprimet agresive të Rusisë në Ukrainë e bënë të qartë se “Kur bëhet fjalë për çështjet e luftës dhe paqes, kur bëhet fjalë për çështjet e së drejtës dhe të gabuarës, asnjë vend, madje as Gjermania, nuk mund të jetë neutrale”.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur merret parasysh historia gjermane. “Për ne, dhe për mua, një përgjegjësi e veçantë lind nga faji i Gjermanisë për luftën dhe gjenocidin”, tha politikania ekologjiste në fillimin e punës për një strategji të re të sigurisë kombëtare për Gjermaninë. Ministrja tha se lufta e bërë nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili po shkel të drejtën ndërkombëtare, po na përballë me një realitet të ri për sa i përket politikës së sigurisë. Lufta ruse në Ukrainë është një “pikë kthese gjeopolitike me efekte të gjera në sigurinë evropiane”, theksoi Baerbock. Prandaj, gjatë zhvillimit të një strategjie të re të sigurisë kombëtare, Gjermania duhet “të mos mendojë për sigurinë duke shikuar nga e kaluara, por nga e ardhmja”. Strategjia gjermane e sigurisë duhet të lidhet me përpjekjet përkatëse në nivel të BE-së dhe NATO-s. Qeveria në Berlin ka konstatuar edhe në programin e saj qeverisës se “do të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare në vitin e parë të qeverisë së re federale”. Ky është projekti i parë i këtij lloji në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë./ParsToday