May 08, 2022 19:58 Europe/Tirane
  • Putin: Ashtu si në 1945, fitorja do të jetë e jona

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të dalë fitimtare në Ukrainë ashtu siç fitoi Luftën e Dytë Botërore në vitin 1945.

Udhëheqësi rus u zotua të dielën se "si në vitin 1945, fitorja do të jetë e jona". Ai i bëri komentet ndërsa uroi vendet ish-sovjetike për 77-vjetorin e "Fitores në Luftën e Madhe Patriotike" që çoi në humbjen e Gjermanisë naziste më 9 maj 1945. “Sot, ushtarët tanë, ashtu si paraardhësit e tyre, po luftojnë krah për krah për të çliruar tokën e tyre amtare nga mbeturinat naziste, me besimin se, ashtu si në vitin 1945, fitorja do të jetë e jona", deklaroi Putin. “Sot, është detyra jonë e përbashkët të parandalojmë rilindjen e nazizmit, i cili shkaktoi kaq shumë vuajtje për popujt e vendeve të ndryshme”, tha Putin. Ai shpresoi se “gjeneratat e reja do të jenë të denja për kujtimin e baballarëve dhe gjyshërve të tyre”. Presidenti rus bëri gjithashtu referenca të shumta jo vetëm për ushtarët, por edhe për civilët në "frontin e brendshëm ... të cilët thyen nazizmin me çmimin e sakrificave të panumërta". Putin, i cili beson se qeveria e Kievit është nën kontrollin e nazizmit dhe një kërcënim për Rusinë dhe rusët etnikë në Donbas, tha: "Mjerisht, sot, nazizmi po ngre kokën edhe një herë". Duke u kërkuar rusëve të hakmerren ndaj nazizmit dhe fashizmit në Ukrainë, Putin tha se “detyra jonë e shenjtë është të ndalim pasardhësit ideologjikë të atyre që u mundën” në Luftën e Dytë Botërore. Të hënën, Moska do të përkujtojë zyrtarisht fitoren ndaj Gjermanisë naziste me një paradë gjigante ushtarake./ParsToday