May 17, 2022 19:11 Europe/Tirane
  • Zhdukjet në Meksikë arrijnë shifrën rekord prej 100,000 personash

Numri i personave të raportuar si të zhdukur në Meksikë ka kapur rekordin: 100,000 thonë shifrat.

Të dhënat e qeverisë meksikane tregojnë se pothuajse të gjitha zhdukjet kanë ndodhur që nga viti 2007, kur presidenti i atëhershëm Felipe Calderón nisi "luftën e tij kundër drogës".

 

Kombet e Bashkuara e kanë quajtur atë "një tragjedi njerëzore me përmasa të mëdha".

 

Shumë prej të zhdukurve janë viktima të krimit të organizuar dhe pothuajse asnjë nga ata që është përgjegjës nuk është dënuar.

Përditësimi i fundit në Regjistrin Kombëtar të Personave të Zhdukur që mbahet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës tregon se gjatë dy viteve të fundit, numri i të zhdukurve ka shkuar nga 73,000 në më shumë se 100,000.

Tre të katërtat e të zhdukurve të raportuar janë meshkuj dhe një e pesta, nën moshën 18-vjeçare në kohën e zhdukjes së tyre.

Familjarët e të zhdukurve thonë se qeveria nuk po bën sa duhet për t'i gjetur ata dhe se zyrtarët janë indiferentë kur raportojnë të dashurit e tyre të zhdukur.

Shumë prej tyre i kanë marrë gjërat në duart e veta, duke gërmuar varre të pashënuara me shpresën për të gjetur eshtrat e të dashurve të tyre.

Më 10 maj, ditën kur meksikanët shënuan Ditën e Nënës, qindra gra dolën në rrugë për të kërkuar nga autoritetet të bëjnë më shumë për të gjetur të zhdukurit dhe për të ndëshkuar ata që qëndrojnë pas zhdukjeve të detyruara.

Sipas OKB-së, vetëm 35 nga zhdukjet e regjistruara kanë çuar në dënimin e autorëve. OKB tha se "shkalla marramendëse e mosndëshkimit" ishte kryesisht për shkak të mungesës së hetimeve efektive.

“Kjo i lë familjet e viktimave, tashmë thellësisht të prekura nga zhdukja e të dashurve të tyre, të përballen të vetme edhe me barrën e përpjekjes për të zbuluar se çfarë u ndodhi atyre”, tha në një deklaratë Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.

Në një raport të botuar muajin e kaluar, Komiteti i OKB-së për Zhdukjet tha se krimi i organizuar ishte bërë "autori kryesor" i zhdukjeve në Meksikë "me shkallë të ndryshme të pjesëmarrjes, pranimit ose mosveprimit nga nëpunësit publikë".

Grupi i të drejtave Centro Prodh pyeti në Twitter "sa të tjerë duhet të mungojnë që qeveria të krijojë një politikë për të parandaluar dhe çrrënjosur zhdukjet?"

Shteti me numrin më të madh të zhdukjeve është Jalisco, ku Karteli i Gjeneratës së Re Jalisco ka bazën e tij të pushtetit.

Vitet e fundit, migrantët kanë qenë gjithnjë e më shumë në mesin e atyre që raportohen të zhdukur. Vitin e kaluar, 349 shtetas të huaj u raportuan si të zhdukur, krahasuar me 89 një vit më parë./Syri