SHBA përballet me 'nivele të papranueshme të inflacionit'
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen u ka thënë senatorëve se Shtetet e Bashkuara përballen me "nivele të papranueshme të inflacionit" dhe se nevojitet një qëndrim i përshtatshëm buxhetor për të ndihmuar në uljen e presioneve inflacioniste pa dëmtuar ekonominë.
Yellen i tha të martën Komitetit të Financave të Senatit se projektligji i propozuar i shpenzimeve nga presidenti Joe Biden mund të ndihmojë në uljen e kostove për qytetarët, duke përfshirë ilaçet me recetë dhe iniciativat për energji të pastër, raportoi Reuters. “Aktualisht ne përballemi me sfida makroekonomike, duke përfshirë nivele të papranueshme të inflacionit, si dhe problemet që lidhen me ndërprerjet e shkaktuara nga efekti i pandemisë në zinxhirët e furnizimit, dhe efektet e shqetësimeve mbi tregjet e naftës dhe ushqimit që rezultojnë nga lufta e Rusisë në Ukrainë", tha Yellen. Inflacioni në SHBA në muajin mars arriti në nivelin më të lartë të 40 viteve dhe aktualisht është rreth 8 për qind. Javët e fundit, Presidenti Biden ka sinjalizuar një gatishmëri për të rregulluar tarifat ndaj importeve kineze në mënyrë që të lehtësojë inflacionin. Ekonomistët vlerësojnë se masa nuk do të kishte një efekt të menjëhershëm e të rëndësishëm në inflacion.