Qershor 21, 2022 12:23 Europe/Tirane
  • Afrika është peng i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, thotë Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur Afrikën "një peng" të luftës së Rusisë gjatë një fjalimi në Bashkimin Afrikan (AU) të hënën.

Pushtimi i Rusisë dhe bllokimi i eksporteve të drithërave të Ukrainës, kanë shkaktuar mungesë të drithit dhe plehrave kimike dhe kanë vënë miliona njerëz në rrezikun e urisë.

 

Kryetari i komisionit të Bashkimit Afrikan tha se kishte një "nevojë urgjente për dialog" për të rivendosur stabilitetin global.

Bllokada ka rritur çmimet e ushqimeve.

 

“Afrika është në fakt një peng i atyre që nisën luftën kundër shtetit tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij.

 

Ai tha se qeveria e tij ishte e angazhuar në "negociata komplekse" për të zhbllokuar rezervat e grurit të bllokuara në portet e Detit të Zi të Ukrainës.

 

"Kjo luftë mund t'ju duket shumë e largët për ju dhe vendet tuaja," i tha ai, Unionit afrikan. "Por çmimet e ushqimeve që po rriten në mënyrë katastrofike e kanë sjellë tashmë luftën në shtëpitë e miliona familjeve afrikane."

 

Fjalimi i Zelensky në Bashkimin Afrikan vjen gati 10 javë pasi ai kërkoi për herë të parë t'i drejtohej këtij grupimi.

 

BBC mësoi se 55 krerë shtetesh ishin të ftuar në seancën virtuale, por vetëm katër morën pjesë. Pjesa tjetër e vendeve dërgoi përfaqësues.

 

Vendet afrikane kanë qenë të përçara në përgjigjen e tyre ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Në mars, 17 vende afrikane abstenuan në një votim të OKB-së për të dënuar pushtimin rus.

 

Por të hënën, kryetari i Bashkimit Afrikan, z. Macky Sall e falënderoi Zelensky për mesazhin që iu dërgoi.

 

Sall tha se "Afrika mbetet e përkushtuar për të respektuar rregullat e së drejtës ndërkombëtare, zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe lirinë e tregtisë".

 

Fillimisht, Bashkimi Afrikan nuk donte t'i drejtohej z. Zelensky dhe nuk pajtohet plotësisht me atë që ai thotë - ata duan dialog për të zgjidhur krizën, siç kanë bërë gjithmonë.

 

Në fillim të këtij muaji, Sall zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Ai i tha zotit Putin se vendet afrikane janë viktima të pafajshme të luftës në Ukrainë dhe Rusia duhet të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve të tyre./Syri