Donbas: 98 për qind e votuesve duan t’i bashkohen Rusisë
Gati 98% e votuesve i kanë thënë 'po' bashkimit me Rusinë në katër zonat e Ukrainës të pushtuara nga Moska, raportuan të martën mediat shtetërore ruse, sipas rezultateve paraprake.
Referendumet, të cilat presidenti rus Vladimir Putin i njoftoi së bashku me mobilizimin e pjesshëm të mërkurën e kaluar, janë cilësuar nga Perëndimi si mashtrim, të manipuluara për të forcuar pretendimet e Moskës mbi rajonet jugore të Ukrainës, Kherson dhe Zaporizhzhia, dhe Donetsk dhe Luhansk në lindje. Votimet e organizuara u zhvilluan gjatë pesë ditëve, duke përfshirë të martën. Katër rajonet e pushtuara, disa pjesërisht nën kontrollin rus, përbëjnë rreth 15% të territorit ukrainas. Putini tashmë është gati të shpallë aneksimin e katër territoreve të premten, kur është planifikuar të flasë në parlamentin rus. Më parë, Moska është zotuar t’u japë rajoneve të aneksuara të Ukrainës “mbrojtje të plotë”, e cila mund të përfshijë gjithashtu përdorimin e arsenalit të saj bërthamor, pasi preteksti ligjor do t’i lejonte Putinit dhe Kremlinit të portretizonin çdo përpjekje ukrainase për t’i rimarrë ato si një sulm ndaj vetë Rusisë.