Gjermanët protestojnë ndaj çmimeve të larta
Njerëzit janë mbledhur në kryeqytetin gjerman për të protestuar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe mallrave dhe denoncuan qëndrimin e qeverisë së tyre ndaj luftës në Ukrainë.
Gjermanët dolën në rrugë në Berlin për herë të dytë në tre ditët e fundit, duke thënë se politikat e qeverisë për luftën në Ukrainë kishin çuar në një krizë energjetike, në një rënie ekonomike dhe në rritjen e çmimeve. “Njerëzit nuk kanë mundësi të ngrohin shtëpitë e tyre dhe, për më tepër, situata është ende duke u përkeqësuar”, tha një protestues. Protestuesit i kërkuan gjithashtu NATO-s të udhëhequr nga SHBA që të ndalojë menjëherë dërgimin e armëve në Ukrainë dhe të punojë për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore përmes diplomacisë. Gjermania, së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, po përpiqet të mbështesë konsumatorët dhe industritë e dëmtuara nga një rritje e mëtejshme e çmimeve të energjisë. Berlini akuzon Rusinë se po përdor energjinë si armë. Rusia fajëson sanksionet perëndimore për vonesën e riparimeve të nevojshme në tubacionet e furnizimit. Ndërkohë, Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, paralajmëroi se kontinenti mund të përballet me ndërprerje të gjera dhe afatgjata të energjisë këtë dimër. Komisioneri tha se BE në përgjithësi po përgatitet për një dimër plot kriza. Ai paralajmëroi gjithashtu se ishte "shumë e mundshme" që me vazhdimin e luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të BE-së ndaj Moskës, presidenti rus Vladimir Putin do të ndërpresë plotësisht eksportet e gazit në Evropë në " këtë dimër të errët".