Tetor 17, 2022 07:22 Europe/Tirane
  •  Propozimi i Putin për Gazin në Turqi dhe arsyet e tij

Në margjinat e takimit të gjashtë të Konferencës Aziatike të Ndërveprimit dhe Ndërtimit të Besimit (CICA) në qytetin Astana në Kazakistan, presidenti rus tha se Moska është e gatshme të krijojë një qendër të shpërndarjes së gazit natyror në Turqi. Sipas tij kjo qendër nuk do të jetë vetëm për transmetimin e gazit, por edhe për çmimet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në përgjigje të komenteve të presidentit rus Vladimir Putin, tha: Turqia do të bëhet një qendër ndërkombëtare për transmetimin e gazit. Ndërkohë, çmimi i energjisë elektrike, gazit dhe transportuesve të energjisë në Turqi ka arritur një rekord të paprecedentë dhe banorët e këtij vendi janë në një situatë të vështirë. Në këtë kontekst, gazetat e Ankarasë dhe Stambollit, të cilat gjithmonë mbështesin qëndrimet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, shkruanin me ekzagjerim se Turqia është qendra më e besueshme e rrugës së transferimit të energjisë sipas mendimit të Vladimir Putinit dhe ai është i gatshëm t’ia lë Erdoganit kompetencën për përcaktimin e çmimit të gazit të eksportuar në Evropë! Në këtë mes ekzistojnë dy arsye kryesore, pse Putin i dha këtë pikë Erdoganit? Mediat dhe analistët turq nën komandën e institucionit presidencial dhe partisë në pushtet të Turqisë argumentojnë se personaliteti dhe autoriteti i lidershipit të Erdoganit i ka rënë në sy Putinit dhe për këtë arsye, ai i ka dhënë shumë privilegje të arta Turqisë! Por cila është e vërteta? A është vërtet i ndikuar Putini nga mendimet, qasja politike dhe karakteri i Erdoganit? Në përgjigje, duhet thënë: Ndryshe nga sa pretendohet në mediat turke, ajo që ka një rëndësi të madhe për Putinin dhe ekipin e tij janë faktorët që lidhen me gjeopolitikën e Turqisë dhe gjeografinë specifike politike, të cilat në këtë moment kritik mund të sjellin shumë përfitime për Moskën. Turqia duke shfrytëzuar dhuntitë e Detit të Zi dhe kalimin e anijeve që transportojnë drithëra dhe përmes linjës Turke Stream i jep Rusisë fitime të mëdha dhe kjo është ajo që lidhet me gjeografinë e Turqisë dhe jo me aftësitë individuale dhe politike të Erdogan! Përveç dhuratave që lidhen me gjeografinë politike të Turqisë, arsyeja e dytë e lëshimeve të Putinit ndaj Turqisë është këndvështrimi politik i ekipit të Putinit për të ardhmen e Turqisë dhe marrëdhëniet Moskë-Ankara. Ekipi i Putinit e ka kuptuar se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim nuk mund të ketë një marrëdhënie të mirë me Perëndimin dhe dëshiron të krijojë një partneritet të thellë me Rusinë dhe Kinën. Por nëse kundërshtarët e Erdoganit vijnë në pushtet në Turqi, ata me politikën e tyre të orientuar drejt perëndimit do ta bëjnë Turqinë të distancohet edhe një herë nga Rusia. Si rezultat, Putini preferon të japë disa lëshime të lidhura me energjinë për të lejuar Erdoganin të paraqitet si një lider kombëtar unik në makinën e madhe propagandistike të partisë dhe të fitojë sërish votat për president.