Peskov duke folur për kufizimin e çmimit të gazit rus
Zëdhënësi i Presidentit të Federatës Ruse duke folur për kufizimin e çmimit të gazit rus, deklaroi se çmimin për këtë vendim do ta paguajnë qytetarët evropianë.
Dmitry Peskov tha: Nëse vendoset një tavan çmimi për gazin rus, ky do të jetë një tjetër çmim që do të paguajnë qytetarët e vendeve që iu bashkuan këtij vendimi. Peskov shtoi: "Aktualisht, shumë vende po përballen me pasojat e vendimeve të tyre të nxituara. Dhe bashkimi me kampin e mbështetësve të këtij tavani çmimesh, natyrisht, do të jetë një tjetër kosto që qytetarët e këtyre vendeve duhet të paguajnë." Ndërsa kreu i gjigantit energjetik të Rusisë, Gazprom, ka paralajmëruar se vendosja e mundshme e një kufiri të çmimit të gazit rus në Evropë është në shkelje të kushteve kontraktuale dhe do të sillte ndërprerjen e furnizimeve në kontinentin evropian. Alexey Miller shefi i Gazprom-it ngriti alarmin të dielën në një intervistë me transmetuesin rus Rossiya 1 pasi Bashkimi Evropian prezantoi paketën e tetë të sanksioneve kundër Moskës, e cila, ndër të tjera, vendos një kornizë për kufizimin e çmimit të eksporteve ruse të naftës dhe gazit në një nivel të koordinuar nga aleatët e bllokut në vendet e Grupit G7. “Ne udhëhiqemi nga kontratat që janë nënshkruar. Natyrisht, një vendim i tillë i njëanshëm është një shkelje e kushteve thelbësore të kontratës, që sjell ndërprerjen e furnizimeve, "tha Miller për Rossiya 1. Gjermania, Danimarka dhe Holanda kanë kundërshtuar nismën e kufirit të çmimeve, duke thënë se kjo do të dëmtojë përpjekjet për të frenuar krizën energjetike në Evropë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka nënvizuar nevojën për një kufizim të çmimit vetëm për gazin rus.