Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe institucioneve të BE mbeten “kritike”
Edhe pse në Europë ka nisur i ftohti, marrëdhëniet mes Hungarisë dhe institucioneve të Bashkimit Europian mbeten të “nxehta”.
Gjatë mesit të muajit shtator, Komisioni Europian i la kohë Budapestit deri në 19 nëntor për të demonstruar angazhim serioz në luftën kundër korrupsionit. Tashmë, Komisionit i duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban janë të mjaftueshme, në mënyrë që të vijohet me lëvrimin e fondeve të BE-së për Hungarinë. Vlerësimi pozitiv do t’i hapte rrugë Këshillit të BE-së që të miratonte këtë lëvrim fondesh, të cilat nevojiten urgjentisht në Hungari, në kohën kur vendi po përjeton vështirësi të mëdha financiare. Që nga mesi i viteve ‘90, Hungaria nuk kishte përjetuar normë kaq të lartë inflacioni, e cila gjatë muajit tetor u regjistrua në 21%. Nga ana tjetër, një vlerësim negativ do të çonte në marrjen e paprecedentë të masave nga ana e BE-së, për pezullimin e fondeve. Kjo do të ishte hera e parë që BE vë në funksion mekanizmin “kushtëzimi i sundimit të ligjit”. Me nevojat financiare në rritje të qeverisë dhe afrimin e afatit kohor për sigurimin e fondeve të rimëkëmbjes nga ana e Komisionit, qeveria hungareze ka nisur të ushtrojë presion gjithashtu. Për muaj me radhë, qeveria e Orban ka mbajtur pezull miratimin për anëtarësim në NATO të Suedisë dhe Finlandës, duke u bërë kështu i vetmi shtet anëtar i NATO-s në BE me një qëndrim të tillë. Hungaria është gjithashtu i vetmi vend që kundërshton nismën e Komisionit për t’i dhënë Ukrainës 18 miliardë Euro ndihmë, e cila do të financohej me një kredi të marrë nga BE.