Britania sanksionon komandantë ushtarakë rusë dhe biznesmenë iranianë
Britania ka vendosur sanksione të reja kundër komandantëve të lartë ushtarakë rusë për rolin e tyre në luftën e vazhdueshme në Ukrainë, si dhe ndaj biznesmenëve iranianë mbi akuzat për përfshirje në prodhimin dhe furnizimin e dronëve ushtarakë Kremlinit.
Ministria e Jashtme britanike e bëri njoftimin në një deklaratë të martën, duke thënë se paketa prej 16 sanksionesh është në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në infrastrukturën civile në Ukrainë. Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly tha se sanksionet kishin në shënjestër dymbëdhjetë komandantë të nivelit të lartë të njësive ushtarake të implikuara në sulmet me raketa në qytetet ukrainase. Gjeneralmajor Robert Baranov, i cili besohet të jetë komandanti i një njësie përgjegjëse për programimin dhe shënjestrimin e raketave ruse, është në mesin e të sanksionuarve. Ai tha gjithashtu se sanksionet fokusohen në "biznesmenë iranianë dhe një zyrtar ushtarak të përfshirë në prodhimin dhe furnizimin e dronëve ushtarakë të përdorur nga Rusia për të kryer sulme". Më tej, James Cleverly tha: "Britania qëndron me Ukrainën", duke shtuar se "sulmet e llogaritura të forcave ruse ndaj qyteteve dhe civilëve të pafajshëm në Ukrainë nuk do të mbeten pa përgjigje". Ai gjithashtu vuri në dukje se presidenti rus Vladimir Putin “dëshiron të thyejë shpirtin e Ukrainës, por ai nuk do të ketë sukses. Ukraina do të fitojë dhe Ukraina do të rindërtohet”, shtoi Sekretari i Jashtëm britanik.