Janar 26, 2023 10:26 Europe/Tirane
  •  Spanja është gati të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës njoftoi gatishmërinë e vendit të saj për të dërguar tanke Leopard në Ukrainë dhe sugjeroi që edhe vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas Reuters, ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles njoftoi se vendi i saj është gati të dërgojë tanke Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë dhe tha se aleatët e NATO-s mund të bëjnë të njëjtën gjë pasi Gjermania të pranojë dërgimin e këtyre tankeve. Robles në një intervistë me agjencinë spanjolle të lajmeve Efe tha: Madridi do të veprojë në koordinim me aleatët e tij perëndimorë për të ndihmuar Ukrainën kundër agresionit rus. Ajo tha:  Në kuadër të këtij koordinimi, Spanja është e gatshme të bashkëpunojë me aleatët e saj për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë dërgimin e tankeve Leopard, trajnimin e forcave në përdorimin e këtyre tankeve, si dhe ndihmën për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre. Në fund të vitit 2022, Spanja dërgoi paketën e saj më të madhe të armëve në Ukrainë.  Ky vend gjithashtu ka dorëzuar në Ukrainë katër sisteme të mbrojtjes ajrore Hawak të prodhimit amerikan dhe ka premtuar se do të dërgojë edhe dy sisteme të tjera.  Ndër shërbimet e tjera të Spanjës për Ukrainën, mund të përmendim ofrimin e shërbimeve mjekësore për ushtarët e plagosur ukrainas dhe stërvitjen e tyre në bazën ajrore të Toledos.