Janar 30, 2023 08:49 Europe/Tirane
  •  Putin i hapur për kontakte me Scholz

Kremlini theksoi se presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për kontakte me kancelarin gjerman Olaf Scholz, pasi ky i fundit shprehu gatishmërinë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me liderin rus për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i bëri komentet të dielën. Ai, megjithatë, tha se Putin nuk ka planifikuar asnjë telefonatë me Scholz. "Për momentin, nuk ka plan për bisedime të dakorduara (me Scholz). Putin ka qenë dhe mbetet i hapur për kontakte,"tha Peskov i cituar agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti. Më herët gjatë ditës, Scholz në një intervistë për të përditshmen Der Tagesspiegel tha se "do të ketë përsëri biseda telefonike me Putinin pasi është e nevojshme të bisedojmë me njëri-tjetrin". Kancelari gjerman tha se toni i bisedave të tilla "nuk është i pasjellshëm", pavarësisht pikëpamjeve "absolutisht të ndryshme" për situatën në Ukrainë, të cilën ai e përshkroi si një "luftë të pakuptimtë". Scholz dhe Putin patën një bisedë telefonike për herë të fundit më 2 dhjetor 2022. Presidenti rus në atë kohë tha se linja gjermane dhe perëndimore në Ukrainë ishte "shkatërruese" dhe i bëri thirrje Berlinit të rimendojë qasjen e tij.