Zelensky: Do të rikthejmë flamurin ukrainas në Krime
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka ripërsëritur sot se Ukraina do ta rikthejë Krimenë që Rusia e aneksoi në vitin 2014.
“Është vendi ynë, populli ynë. Krenaria jonë”, theksoi sot Zelensky. “Me rikthimin e Krimesë, do të rikthehet paqja në Ukrainë. Do të rikthejmë flamurin ukrainas në çdo cep të Ukrainës”, shtoi ai. 26 shkurtin e vitit 2022, Zelensky e ka shpallur ditën e rezistencës ukrainase ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Në anën tjetër, që nga fillimi i luftës ai ka ripërsëritur se do të rikthejnë çdo pëllëmbë të territorit të Ukrainës. Ndërkohë, sot presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi konfrontimin me Perëndimin për luftën në Ukrainë, si një betejë ekzistenciale për mbijetesën e Rusisë dhe popullit rus. Pas një viti luftë në Ukrainë, presidenti rus po e prezanton gjithnjë e më shumë luftën si një moment të ri në historinë e vendit që drejton. Ai ka deklaruar se beson që e ardhmja e Rusisë dhe popullit të saj është në rrezik. Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka akuzuar vendet anëtare të NATO-s për pjesëmarrje në konfliktin në Ukrainë, duke i dhuruar armë këtij shteti, dhe ka thënë se Perëndimi po planifikon të shkatërrojë Rusinë. “Ata po dërgojnë armë në Ukrainë në vlerë të miliarda dollarëve. Kjo është pjesëmarrje”, ka thënë Putin në një intervistë për kanalin Rossiya-1.“Kjo nënkupton që ata janë duke marrë pjesë, ndonëse jodrejtpërdrejt, në krimet që po kryhen nga regjimi i Kievit”, ka thënë Putin.