Shkurt 28, 2023 08:42 Europe/Tirane
  • Ukrainë: Zelensky thotë se situata në Bakhmut po përkeqësohet

Lufta në Ukrainë: Zelensky thotë se situata në Bakhmut po përkeqësohet

Situata në qytetin Bakhmut, në vijën e frontit lindor, po bëhet “gjithnjë e më e vështirë”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.Forcat ruse janë përpjekur ta marrin qytetin prej më shumë se gjashtë muajsh.

“Armiku po shkatërron vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona”, tha Zelensky.

Vërejtjet e liderit ukrainas erdhën pasi Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen e paralajmëroi Kinën të mos e armatosë Rusinë, gjatë një vizite në Kiev të hënën.

Disa nga luftimet më të ashpra që kanë ndodhur që kur Rusia pushtoi Ukrainën pak më shumë se një vit më parë, janë zhvilluar në Bakhmut, në rajonin e Donetskut të Ukrainës, një pjesë e të cilit është nën kontrollin e Rusisë dhe të aleatëve të saj separatistë.

Kohët e fundit përpjekjet e forcave ruse për të kapur qytetin industrial janë intensifikuar, me trupat e tij duke fituar terren.

Udhëheqësi separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin, tha se "praktikisht të gjitha rrugët" për në qytet ishin "nën kontrollin e zjarrit rus".

Dhe komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi, tha se situata rreth Bakhmut ishte "jashtëzakonisht e tensionuar".

"Megjithë humbjet e konsiderueshme, armiku hodhi njësitë më të përgatitura të sulmit të Ëagner, të cilët po përpiqen të thyejnë mbrojtjen e trupave tona dhe të rrethojnë qytetin," tha gjenerali Syrskyi.

Duke folur për situatën në fjalimin e tij të natës, Presidenti Zelensky tha se po përpiqen për të fituar një terren në Bakhmut dhe se mbrojtja e tij po komprometohej rëndë nga sulmi i rinovuar i Rusisë.

Ai i ishte "mirënjohës  çdo personi që po e mban heroikisht" zonën.

Presidenti Zelensky bëri thirrje edhe një herë që të dërgohen avionë luftarakë modernë në mënyrë që "i gjithë territori i vendit tonë" të mbrohet nga "terrori rus".

Në vizitën e saj të papritur në Kiev të hënën, Janet Yellen njoftoi transferimin e fundit prej 1.25 miliardë dollarë (1 miliardë £) në ndihmë ekonomike dhe buxhetore për Ukrainën.

Zonja Yellen përsëriti mesazhin e presidentit amerikan Joe Biden - të bërë gjatë vizitës së tij në Kiev javën e kaluar - se Uashingtoni do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhej për të fituar luftën.

Duke folur për CNN, zonja Yellen shtoi se ndërsa ekonomia e Rusisë nuk ishte përkulur ende nën sanksionet e mëdha të vendosura ndaj Rusisë nga fuqitë perëndimore, ajo priste që ajo të dobësohej me kalimin e kohës./syri/