Guterres: Kombet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmjetësojnë
Në një takim me Volodymyr Zelensky në Kiev, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se është e rëndësishme të sigurohet që termocentrali bërthamor i Zaporizhias të mund të kthehet në funksionimin normal dhe OKB-ja është e gatshme të ndërmjetësojë për çmilitarizimin e plotë të zonës përreth termocentralit.
Sipas agjencisë së lajmeve TASS, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi: "Siguria rreth termocentralit bërthamor Zaporizhia është gjithashtu me rëndësi jetike. Unë besoj se ndërmjetësimi i mundshëm do të jetë i rëndësishëm për çmilitarizimin e plotë të zonës, duke siguruar njëkohësisht që impianti i përmendur të kthehet në funksionimin normal. Kombet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë ndërmjetësim". Guterres theksoi se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është "plotësisht e mobilizuar për të ruajtur sigurinë e termocentraleve bërthamore në Ukrainë." Ndërkohë, Mikhail Ulyanov, përfaqësuesi i Rusisë në Organizatat ndërkombëtare në Vjenë, më parë i tha agjencisë TASS se negociatat për krijimin e një zone të sigurt rreth Zaporizhias kanë arritur në një ngërç, sepse Ukraina nuk i ka dhënë një përgjigje të qartë propozimit të drejtorit të përgjithshëm të ANEA, Rafael Grossi.