Të paktën gjashtë viktima nga sulmet me raketa në Ukrainë
Rusia ndërmori një valë masive sulmesh me raketa në gjithë Ukrainën të enjten, duke vrarë të paktën gjashtë civilë.
Sulmet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike dhe shkëputjen nga rrjeti i një termocentrali bërthamor. Kievi tha se arsenali i përdorur përfshinte për herë të parë gjashtë raketa të vogla hipersonike kruz “Kinzhal”, një nga armët më me vlerë për Moskën. “Okupatorët mund të terrorizojnë civilët. Por kjo nuk do t’i ndihmojë ata. Ata nuk do t’i shmangen përgjegjësisë për gjithçka që kanë bërë“, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një deklaratë, duke folur për sulmet që goditën infrastrukturën dhe ndërtesat e banimit në dhjetë rajone. Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte kryer një “sulm masiv” ndaj infrastrukturës ukrainase si kundërpërgjigje për një sulm ndërkufitar javën e kaluar ndaj një fshati në rajonin Bryansk të Rusisë. Në kryeqytetin Kiev, një alarm ajror shtatë-orësh gjatë natës ishte më i gjati që kur Rusia filloi fushatën ajrore në tetor. Moska thotë se fushata e saj për të vënë në shënjestër infrastrukturën e Ukrainës larg vijës së frontit synon të reduktojë aftësinë e Ukrainës për të luftuar.