Mars 17, 2023 09:36 Europe/Tirane
  •  Kievi do të marrë katër aeroplanë MiG-29 nga Polonia/SHBA reagon

Polonia gjatë ditëve të ardhshme do t’i dërgojë Ukrainës katër aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29. Këtë e ka bërë të ditur presidenti polak, i cili tha se Kievi do të marrë aeroplanët e parë nga aleatët e tij.

“E para, për disa ditë do të dërgojmë me sa di unë katër aeroplanë luftarakë në Ukrainë që janë të gatshëm për fluturim”, tha Andrzej Duda gjatë një konference për media, duke shtuar se aeroplanët tjerë janë duke u përgatitur. Ndërsa kryeministri polak Mateusz Morawiecki, theksoi se aeroplanët do t’i dorëzohen Kievit gjatë katër ose gjashtë javëve. Presidenti Duda pranoi se Polonia ka 10 deri në 20 aeroplanë të tipit MiG-29. Sllovakia gjithashtu po shqyrton opsionin e dërgimit të aeroplanëve të tillë në Ukrainë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar. Polonia gjithashtu i ka dërguar Ukrainës, 14 tanke të prodhimit gjerman Leopard 2. Vendimi i Polonisë për të dërguar aeroplanë luftarakë të epokës sovjetike MiG-29 në Ukrainë është një “vendim sovran” që nuk do ta nxisë presidentin Joe Biden të dërgojë aeroplanë amerikanë F-16, sipas Shtëpisë së Bardhë. Kështu raportojnë media si CNN, sipas të cilave, Biden ka thënë se dërgesat e aeroplanëve luftarakë amerikanë nuk janë “në tavolinë” për momentin, megjithëse ai nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë. Premtimi nga Polonia për të dërguar katër aeroplanë, i cili është një “shkëputje” nga partnerët e tjerë të NATO-s, nuk e ndryshon atë vendimmarrje, tha John Kirby, një zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA. “Kjo nuk ndryshon llogaritjet tona në lidhje me F-16”, citohet të ketë thënë ai. “Këto janë vendime sovrane që çdo vend duhet t’i marrë dhe ne i respektojmë ato vendime sovrane”, ka thënë ai, duke shtuar se “ata duhet të përcaktojnë jo vetëm atë që do të japin, por edhe si do ta karakterizojnë atë”./syri/