Prill 05, 2023 07:30 Europe/Tirane
  •  Pekini paralajmëron Manilën kundër bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në

Pas rritjes së bashkëpunimit ushtarak të Filipineve me Shtetet e Bashkuara, Kina ka paralajmëruar për “tensione të reja” në rajon.

Paralajmërimi i Kinës për Filipinet vjen pas rritjes së bashkëpunimit ushtarak të Manilës me Shtetet e Bashkuara. Kina ka paralajmëruar se Uashingtoni "po rrezikon paqen dhe stabilitetin rajonal" me marrëveshjen me Filipinet që lejon trupat amerikane të përdorin disa baza ushtarake në vendin e Azisë Juglindore. Në shkurt të këtij viti, ish-kolonia amerikane nënshkroi një marrëveshje për t'u lejuar trupave amerikane akses më të madh në bazat e saj ushtarake, duke rritur presionin ndaj Kinës, pasi SHBA siguron më shumë baza për forcat e saj rreth Detit të Kinës Jugore dhe në territoret e diskutueshme. Me marrëveshjen e re, Uashingtoni ka rrethuar Kinën me aleatët e tij, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë në veri dhe Australinë në jug. “Është e qartë se Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë e tyre ushtarake në rajon për të ndjekur interesa egoiste”, tha Ministria e Jashtme kineze duke shtuar: "Kjo vetëm do të krijojë më shumë tensione dhe më pak paqe dhe stabilitet në rajon".