Qershor 07, 2023 08:47 Europe/Tirane
  •  Stoltenberg: Shpërthimi i digës në Ukrainë tregon brutalitetin e luftës ruse

Shkatërrimi i digës Nova Kahovka në jug të Ukrainës tregon brutalitetin e luftës së Rusisë në Ukrainë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Shkatërrimi i digës Kahovka sot vë në rrezik mijëra civilë dhe shkakton dëme të mëdha në mjedis”, tha Stoltenberg në një postim në Twitter. “Ky është një akt i egër, që tregon edhe një herë brutalitetin e luftës së Rusisë në Ukrainë”, shtoi ai. Një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë tha se shkatërrimi i digës ishte një fazë e re e agresionit rus. Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Rusia kishte kaluar nga përpjekja për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë me ato që ai i quajti mite propagandistike, në shpalljen e hapur të qëllimeve të saj të vërteta — “shkatërroni Ukrainën, vrisni ukrainasit, shkatërroni ekonominë” dhe “strukturat e mbështetjes së jetës”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse hodhën në erë hidrocentralin Kahovka nga brenda. Shkatërrimi i digës nuk paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për furnizimin me energji elektrike të vendit, njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës. “Shpërthimi… nuk ndikoi drejtpërdrejt në gjendjen e sistemit energjetik të vendit. Nuk ka kërcënime për stabilitetin e furnizimit me energji elektrike,” thuhet në deklaratë.