Nëntor 06, 2023 08:44 Europe/Tirane
  • Parandalohet sulmi me dron i Izraelit kundër Iranit

Ministria iraniane e Inteligjencës njoftoi se Teherani në një operacion të përbashkët me talebanët e Afganistanit kanë arritur të kapin tre agjentë të agjencisë izraelite të spiunazhit Mossad, të cilët po planifikonin sulme me dronë në objektiva të shumta në Iran.

Tre agjentë të Mossad me kombësi iraniane u arrestuan në rajonet malore në Iranin Lindor përgjatë kufijve me Afganistanin.

Të arrestuarit synonin të gjuanin dronë vetëvrasës nga përtej kufirit afgan drejt disa objektivave brenda Iranit.

Irani në vitet e fundit ka kapur disa anëtarë të rrjeteve të spiunazhit të lidhur me shërbimet sekrete të huaja. Militantët ishin të përfshirë në prodhimin e eksplozivëve dhe bombave artizanale. Ata ishin të lidhur me të huajt dhe planifikonin të kryenin akte kundër sigurisë si dhe të krijonin grupe operacionale për të drejtuar trazirat në Iran.

Në fund të korrikut, Ministria iraniane e Inteligjencës njoftoi se agjentët e sigurisë të vendit kanë shpërbërë një ekip terrorist të sponsorizuar nga agjencia izraelite e spiunazhit Mossad, që po planifikonte të shpërthente varrin e gjeneral-lejtnant Kasem Sulejmani në provincën Kerman.

Ministria e Inteligjencës tha në një deklaratë se forcat e sigurisë kanë kapur anëtarë të një rrjeti të gjerë terrorist, të cilët po planifikonin të kryenin sulme të shumta terroriste në të gjithë vendin.

Terroristët ishin të lidhur nëpërmjet qarqeve terroriste në Danimarkë dhe Holandë me agjencinë izraelite të spiunazhit, shtohet në deklaratë.

Ministria e Inteligjencës deklaroi se terroristët planifikonin aktivitete sabotuese në gjashtë provinca iraniane, në Teheran, Kerman, Esfahan, Kohgilouyeh ve Boyer Ahmad, Kurdistan dhe Mazandaran.

Elementët e mbështetur nga Izraeli planifikuan të nisnin sulme gjatë muajit të zisë së Muharremit, por u kapën përpara se të hynin në fazën [e tyre] të gjerë operacionale.

Ata, gjithashtu, kishin bërë komplote për të sulmuar vendet e grumbullimit popullor, duke përfshirë ceremonitë e zisë së Muharremit, stacionet e karburantit, shtyllat e energjisë dhe impiantet e gazit natyror për të ndërprerë furnizimet vendase dhe eksportuese, thuhej në deklaratë.

Sipas deklaratës, “të arrestuarit planifikuan të bombardojnë, ndër të tjera, vendin e varrimit të gjeneral-lejtnant Kasem Suleimani në vendlindjen e tij në Kerman.”

“Dyzet e tre bomba me fuqi të lartë shkatërruese u konfiskuan nga terroristët, duke përfshirë ato me telekomandë dhe predha që ishin menduar të përdoreshin në procesionet e zisë dhe ceremonitë”, thekson më tej deklarata.

U kapën gjithashtu armë të tjera, duke përfshirë “mjete që përdoren thjesht në trazirat e rrugëve”.

Deklarata shtoi se terroristët kishin kryer më parë një numër operacionesh të dëmshme në mënyrë që punëdhënësit e tyre në Danimarkë dhe Holandë të vlerësonin aftësitë e tyre. Ata i kishin filmuar dhe fotografuar ato aktivitete dhe ua kishin përcjellë pamjet “mediave terroriste në Evropë dhe SHBA”. Këto operacione paraprake përfshinin hedhjen e koktejeve Molotov në ndërtesat qeveritare dhe vënien e zjarrit në banka, makineri ATM, autobusë, antena komunikimi, etj.

Irani ka qenë objektiv i sulmeve terroriste në dekadat e fundit dhe mijëra qytetarë të tij janë martirizuar nga grupet terroriste. Zyrtarët iranianë theksojnë se vendi është viktimë e terrorizmit. Ata thonë se Teherani ka humbur më shumë njerëz se çdo vend tjetër në luftën kundër terrorizmit, duke kritikuar vendet perëndimore për politikat e tyre me standarde të dyfishta ndaj terrorizmit.

Mossad ka rritur aktivitetin e tij të spiunazhit në vitet e fundit dhe ka qenë i përfshirë në një luftë të fshehtë kundër Iranit. Armiqtë e Iranit, kryesisht Izraeli dhe SHBA, janë angazhuar gjithashtu në një përpjekje për të spiunuar dhe sabotuar industrinë e mbrojtjes dhe atë bërthamore të Iranit.

Shkencëtarët dhe sajtet bërthamore iraniane kanë qenë shënjestër e sulmeve terroriste dhe sabotuese të agjencive perëndimore dhe izraelite të spiunazhit gjatë viteve të fundit. Por, organet e inteligjencës iraniane thonë se kanë arritur të pengojnë një numër të madh të këtyre komploteve./Farsnews

 

Tags