Nëntor 14, 2023 07:18 Europe/Tirane
  • Irani po orientohet drejt prodhimit të pajisjeve ushtarake revolucionare

Ministria e Mbrojtjes e Iranit po orientohet drejt prodhimit të pajisjeve ushtarake revolucionare, duke parashikuar luftëra të bazuara në teknologji të tilla në të ardhmen, tha të hënën (13 nëntor) zëvendësministri i mbrojtjes i Iranit, gjeneral brigade Mehdi Farahi, gjatë konferencës së parë ndërkombëtare që përkujton 12 vjetorin e martirizimit të Gjeneralit Hasan Tehrani Mokadam, i njohur për përpjekjet e tij të pandërprera në zhvillimin e programit balistik të vendit.

“Ekspertët iranianë në Ministrinë e Mbrojtjes nuk po kërkojnë të prodhojnë pajisje të thjeshta ushtarake, ata tani po shkojnë drejt prodhimit të pajisjeve të avancuara ushtarake”, tha gjenerali Mehdi Farahi, përpara se të shtonte se “arritje të tilla ushtarake do të forconin më tej fuqinë mbrojtëse të Iranit”.

“Siç kishte theksuar më parë Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Seyed Ali Khamenei, vendet e botës madje na e kishin ndaluar importin e telave me gjemba. Megjithatë, vitin e kaluar, Irani eksportoi pajisje ushtarake me vlerë rreth 1 miliard dollar”, vuri në dukje zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes iraniane.

Më tej në fjalën e tij, gjeneral Farahi vlerësoi përpjekjet e konsiderueshme dhe unike të martirit Tehrani Mokadam për të zhvilluar programin raketor të Iranit, duke thënë se ky i fundit kishte udhëhequr disa projekte brenda Organizatës së Industrive të Mbrojtjes pavarësisht mungesës së njohurive që kërkoheshin në atë kohë.

Republika Islamike e Iranit ka pasur sukses në zhvillimin e industrisë së saj të raketave dhe prodhimin e raketave precize balistike, theksoi ai.

Duhet theksuar se Martiri Tehrani Mokadam, komandant i njësisë raketore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), luajti një rol kyç në programin e raketave balistike të Republikës Islamike të Iranit. Duke kontribuar në zhvillimin e raketave balistike me rreze të mesme dhe të gjatë, ai projektoi raketat Shahab, Ghadr dhe Sexhil me një rreze veprimi prej më shumë se 1000 kilometrash.

Gjenerali Tehrani Mokadam ndërmori zhvillimin e programit raketor të Iranit gjatë tetë viteve të luftës së imponuar ndaj Iranit nga ish-diktatori irakian Sadam Husein. Pavarësisht vështirësive, ai vazhdoi përpjekjet e tij për të forcuar këtë program edhe në vitet në vijim.

 

Tags