Kryediplomati i BE-së i bën thirrje Izraelit që t’u bindet rregullave të luftës
“Izraeli duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur viktimat civile teksa vazhdon sulmet e tij ajrore dhe tokësore në Gaza kundër Hamasit”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.
Në një intervistë me të përditshmen spanjolle ‘El Pais’ të hënën, Borrell tha se ai u kishte kujtuar zyrtarëve izraelitë se “lufta ka rregullat e saj” dhe se “bombardimet duhet të marrin parasysh viktimat që po shkaktojnë”, duke u thënë atyre se situata humanitare në Gaza ka qenë e neveritshme.
Pas 45 ditësh të bombardimeve të plota të vazhdueshme të ushtrisë pushtuese izraelite mbi Gaza, Izraeli shpalli një rrethim të plotë në enklavë, përveç një sasie të vogël kamionësh me ndihma humanitare të lejuara të hyjnë nga vendkalimi kufitar Rafah me Egjiptin fqinj.
Ndërkohë, Borrell shprehu pasiguri në lidhje me pretendimet izraelite se sulmet e fuqishme ndaj ndërtesave në Gaza kishin për qëllim shkatërrimin e tuneleve të fshehura nëntokësore të ndërtuara nga Hamasi. “Janë, nuk janë, unë personalisht nuk e di. Ata dyshojnë se janë”, tha ai për gazetën.
Borrell theksoi gjithashtu se konflikti midis Izraelit dhe Palestinës “nuk mund të zgjidhet me eksodin masiv të më shumë se dy milionë njerëzve nga Gaza” dhe se “vetëm një zgjidhje politike ka shanse të ketë sukses”.
“Nëse Izraeli dëshiron të ndërtojë paqen, ai nuk mund të tregojë më shumë urrejtje tani”, shtoi ai, duke vënë në dukje se rezultati i konfliktit varet kryesisht nga fakti nëse të dy palët mund të negociojnë lirimin e më shumë se 240 pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Të shtunën, më 7 tetor 2023, Forcat Palestineze të Rezistencës nisën një operacion të befasishëm të quajtur “Stuhia Al-Aksa” kundër pozicioneve izraelite dhe në një sulm hakmarrës, regjimi izraelit mbylli të gjitha pikat e kalimit të Rripit të Gazës dhe filloi bombardimin e Gazës.
Izraeli kreu gjenocid në Rripin e Gazës duke sulmuar spitalet dhe duke vrarë fëmijë. Më shumë se 5,500 fëmijë janë vrarë në mesin e më shumë se 13,000 njerëzve të vrarë në Gaza deri më tani.
Fëmijët përbëjnë 47% të popullsisë prej 2,3 milionë banorësh të Gazës. UNICEF e ka quajtur Rripin e Gazës “një varrezë për mijëra fëmijë”. Agjencia e OKB-së për fëmijët e ka përshkruar gjithashtu situatën në Gaza si “një njollë në rritje në ndërgjegjen tonë kolektive”, duke e quajtur shkallën e viktimave të fëmijëve “thjesht tronditëse”.
“Save the Children” thotë se më shumë fëmijë janë vrarë në Gaza sesa në të gjitha konfliktet e tjera në mbarë botën që nga viti 2019 të marra së bashku.