Nëntor 27, 2023 10:04 Europe/Tirane
  • Izraeli dhe Hamasi për zgjatjen e ndalimit të luftimeve

Kreu i qeverisë izraelite, Netanjahu dhe organizata Hamas kanë shprehur gatishmërinë për zgjatjen e ndalimit të luftimeve. Presidenti gjerman, Steinmeier siguroi Izraelin për mbështetjen e Gjermanisë.

Marrëveshja për ndalimin e luftimeve shikon mundësitë që ndalimi i tyre të zgjatet në këmbim të lirimit të 10 pengjeve të tjera në ditë, ka bërë të ditur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu pas një bisede me presidentin amerikan, Joe Biden. “Kjo do të ishte për t’u përshëndetur.” Netanjahu tha se ka bërë të qartë, se pas kësaj pauze luftimet do të fillojnë sërish. Pas përfundimit të marrëveshjes, Izraeli do të vazhdojë “me të gjithë fuqinë” luftën kundër Hamasit. Edhe organizata Hamas synon të zgjasë ndalimin e luftimeve, sipas të dhënave të veta. Qëllimi është në këmbim të pengjeve, të lirohen të burgosurit palestinezë nga burgjet izraelite, deklaroi organizata Hamas.

Edhe SHBA e mbështesin një zgjatje të ndalimit të luftimeve. Kështu mund të lirohen më shumë pengje dhe të ofrohen më shumë ndihma humanitare për njerëzit në nevojë në Gaza. Edhe ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna u shpreh për një hap të tillë. “Do të ishte mirë, ndihmuese, dhe e nevojshme, zgjatja e ndalimit të luftimeve, deri sa të gjitha pengjet, edhe ata francezë, të lirohen”, tha ajo apër televizionin BMF.

Ndërkohë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në një vizitë në Izrael siguroi presidentin e Izraelit për solidaritetin e Gjermanisë. Zëdhënësja e presidentit gjerman shkroi në shërbimin online, X “solidaritet jo vetëm me Izraelin si viktimë e terrorit, por edhe me Izraelin që mbrohet”, pas takimit të presidentit gjerman Steinmeier me presidentin izraelit Herzog.

Herzog e vlerësoi vizitën e presidentit gjerman, si “simbol për aleancën e ngushtë mes dy vendeve tona”. Përgjegjësia morale dhe etike e Gjermanisë tregohet “në këto kohë në fjalë dhe në vepra”, tha Herzog./Marrë nga DW

 

 

 

Tags