Armëpushimi në Gaza zgjatet me dy ditë
Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se armëpushimi mes Hamasit dhe regjimit izraelit është zgjatur edhe për dy ditë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit Majed Al-Ansari konfirmoi në një deklaratë se “është arritur një marrëveshje për të zgjatur armëpushimin humanitar edhe për dy ditë të tjera në Rripin e Gazës”.
Hamasi konfirmoi gjithashtu se armëpushimi ishte zgjatur për dy ditë, duke thënë në një deklaratë se armëpushimi i përkohshëm u zgjat në marrëveshje me Katarin dhe Egjiptin dhe në përputhje me të njëjtat kushte, raportoi Al-Jazeera.
Tareq Abu Azzoum, reporteri i rrjetit mediatik Al-Jazeera, duke raportuar nga Khan Younis në Gazën jugore, tha se ndihma humanitare e lejuar deri më tani në Rripin e Gazës ka qenë e kufizuar. Por ai tha se njoftimi për zgjatjen e armëpushimit është mirëpritur nga palestinezët në enklavë.
“Kjo do të thotë se do të ketë edhe dy ditë të tjera të pastra nga sulmet e pamëshirshme izraelite”, tha Abu Azzoum.