Dhjetor 05, 2023 08:47 Europe/Tirane
  • Zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë: SHBA-së po i mbarojnë paratë për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi udhëheqësit e Kongresit të hënën se Shtetet e Bashkuara do të mbeten pa para për të dërguar armë në Ukrainë deri në fund të vitit, duke rrezikuar rëndë aftësinë ushtarake të Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’u drejtohet senatorëve amerikanë me video të martën gjatë një konference të klasifikuar, ndërsa administrata Biden i kërkon Kongresit të miratojë kërkesën prej gati 106 miliardë dollarësh të Shtëpisë së Bardhë për fonde për luftërat në Ukrainë, ato të regjimit izraelit dhe nevoja të tjera.

Drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Shalanda Young, në një letër drejtuar Mike Johnson, kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve dhe liderëve të tjerë të Kongresit, tha se ndërprerja e fondeve dhe e një fluksi armësh do të “gjunjëzonte Ukrainën në fushën e betejës” dhe do të rriste gjasat për fitoren ruse.

Kongresi ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë për Ukrainën që kur shpërtheu lufta me Rusinë në shkurt 2022, por nuk ka miratuar asnjë fond që kur republikanët morën Dhomën nga Demokratët në janar.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha të hënën mbrëma se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është ftuar t’u drejtohet senatorëve nëpërmjet një videoje të sigurt të martën, si pjesë e një konference të klasifikuar për të dëgjuar se çfarë është në rrezik.

Takimi i mbyllur për senatorët është caktuar për në orën 15:00 të martën dhe do të prezantojnë në të zyrtarë të sigurisë kombëtare të SHBA.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan për herë të fundit 45 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën si pjesë e një projektligji më të gjerë vjetor të shpenzimeve të miratuara në dhjetor 2022.

 

Tags