Dhjetor 10, 2023 08:58 Europe/Tirane
  • Dronët e armatosur Karrar i bashkohen ushtrisë së Iranit

Gjatë një ceremonie, droni interceptor i armatosur Karrar iu shtua flotës së dronëve UAV (mjete ajrore pa pilot) të Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë së Iranit më 6 dhjetor 2023.

Duke marrë pjesë në aktivitetin e lartpërmendur të ushtrisë, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit theksoi se të gjithë jeni dëshmitarë të një etape tjetër të përmirësimit të aftësive të Forcave të Mbrojtjes Ajrore të Republikës Islamike të Iranit.

Gjeneral-major Abdolrahim Musavi theksoi: “Që shumë kohë më parë, u ndje nevoja për të furnizuar forcat e armatosura me dronë tërësisht iranianë, të prodhuar nga shkencëtarët iranianë”.

Më tej ai theksoi: “Për herë të parë në stërvitjen që u mbajt rreth dy muaj më parë, droni Karrar kaloi testin e tij operacional dhe fazën e dytë të lidhjes së dronëve të armatosur Karrar me raketën Majid, e cila do t’i shtojë fuqi të konsiderueshme Forcave Ajrore.”

Duke iu drejtuar armiqve të Iranit, ai tha se armiqtë duhet të rishikojnë strategjitë dhe taktikat e tyre luftarake ajër-ajër, veçanërisht në lidhje me dronët, sepse Irani sot ka një status të veçantë në këtë fushë.

Gjithashtu, Komandanti i Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë së Iranit tha: “Me punën e përbashkët shkencore dhe njëzetekatërorëshe mes Forcave të Mbrojtjes Ajrore dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për herë të parë, iranianët arritën të ndërtojnë dhe të prodhojnë dronë të armatosur dhe raketa Majid.”

Gjeneral-brigade Alireza Sabahifard deklaroi: “Gjatë një kohe të shkurtër, raketës Majid i janë shtuar shumë dronë të armatosur, të cilët do të vendosen në orbitë operacionale”.

Droni Karrar i çiftuar me raketën Majid do t’i lejojë njësitë e mbrojtjes ajrore përgjatë zonave kufitare të kapin dhe shkatërrojnë objektivat ajrore armiqësore me një kosto shumë më të ulët se fluturimet e bëra nga avionët luftarakë me pilot.

Raketa e mbrojtjes ajrore Majid e prodhuar në vend mund të gjurmojë dhe të kapë objektivat me kërkues termikë dhe optikë.

Dronët e rinj të armatosur me raketa do t’u mundësojnë njësive të mbrojtjes ajrore të kryejnë operacione të mbrojtjes taktike me bazë ajrore në vende të ndryshme gjeografike me një kosto më të ulët se përdorimi i avionëve luftarakë të drejtuar (me pilot) dhe me rreziqe shumë më të ulëta.

Në shtator, zëvendëskomandanti i Forcave të Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë iraniane, gjeneral-brigade Alireza Elhami tha se Karrar ishte pajisur me një radar. Më tej ai shtoi se Karrar disa herë i ka detyruar avionët e huaj me pilot dhe pa pilot të ndryshojnë kursin e tyre mbi Gjirin Persik dhe Detin e Omanit në lartësi të mëdha.

Karrar është droni i parë ushtarak iranian që ka vendosur një rekord tavan shërbimi duke arritur një lartësi prej 47000 këmbësh (rreth 14.5 km), vuri në dukje ai, duke shtuar se droni ka dhënë paralajmërime radari ose radioje për avionët e huaj që u janë afruar ujërave bregdetare të Iranit ose informacionin rajonal të fluturimit të tij (FIR).

I njohur si një dron i avancuar interceptues, Karrar është pjesë e gjeneratës së re të dronëve reaktivë të Iranit, të konfiguruar për të kapur objektet fluturuese të armikut. Ai u mundëson forcave të armatosura të vendit të kryejnë një gamë më të gjerë të operacioneve të mbrojtjes ajrore në lartësi të mëdha.

 

Tags