Irani i vendosur të detyrojë aeroplanmbajtësen amerikane të largohet nga ujërat rajonale
Komandanti i Marinës iraniane, kundëradmirali Shahram Irani tha se Irani është i vendosur të dëbojë nga ujërat rajonale një aeroplanmbajtëse amerikane që është vendosur nën pretekstin e parandalimit të një përshkallëzimi të konfliktit në Palestinë.
Komandanti i Marinës iraniane e quajti ‘turbulluese’ praninë e aeroplanmbajtëses amerikane të forcave ekstra-rajonale në Gjirin Persik dhe theksoi se së shpejti do të dëbohet nga rajoni.
Kundëradmirali Irani tha të hënën se Marina iraniane është bërë një forcë e madhe me ndikim në rajon, duke shtuar se Marina iraniane nuk do të shtrëngohet nën presionin e fuqive jashtërajonale.
Ai përgënjeshtroi pretendimet se USS Dwight D. Eisenhower ka mbërritur në rajon për të ndryshuar ekuacionet ushtarake dhe politike në rajon.
“Duhet thënë se ata kanë ardhur në rajon për të mbjellë përçarje dhe për të përmbushur nevojat e tyre... megjithatë, Irani nuk do të jetë më nën presion dhe mund të ushtrojë ndikim për të prishur planet e SHBA-së. Ne, së shpejti, do t’i detyrojmë ata të largohen nga rajoni”, tha të hënën komandanti i Marinës iraniane teksa fliste në një tubim në Teheran, që u fokusua në aktivitetet detare të Iranit në ujërat e tij juglindore.
Komentet e tij vijnë mes një situate të brishtë detare në rajon, për të cilën shumë besojnë se është rezultat i drejtpërdrejtë i konfliktit në Palestinë, ku regjimi izraelit është përfshirë në një fushatë të pamëshirshme ushtarake në Rripin e Gazës për më shumë se dy muaj.
Së fundmi, aeroplanmbajtësja USS Dwight Eisenhower ka hyrë në ujërat e Gjirit Persik pasi ka kaluar ngushticën e Hormuzit.
Për të mbështetur regjimin izraelit në luftën e tij me popullin palestinez, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar dy aeroplanmbajtëse në Mesdhe dhe afër Palestinës së pushtuar.
Duke theksuar se "një destrojer tërësisht iranian do të ndërtohet dhe do të qarkullojë gjithë globin", admirali iranian shtoi: “Nuk ka asnjë pengesë në rrugën e Iranit askund në botë, edhe nëpër dete. Irani është fqinj me të gjitha vendet, mike apo armike qofshin ato”.
Komandanti i Marinës iraniane theksoi se siguria e qëndrueshme është vendosur në rrugët ujore, por prania e përhershme është jashtëzakonisht e rëndësishme për Iranin.