Ministri iranian i Turizmit: Irani është i hapur ndaj të tjerëve
Ministri iranian i Turizmit deklaroi: “Qeveria ka vendosur të hapë dyert e vendit për botën. Ky ishte një vendim shumë i guximshëm dhe i matur; ne kemi të bëjmë me njerëzit e botës dhe anulimi i njëanshëm i vizave, në fakt, është mjet komunikimi me njerëzit e botës”.
Duke folur në mbledhjen javore të kabinetit të mërkurën, Ezzatollah Zarghami tha: “Republika Islamike tregoi se është e gatshme të hapë dyert për njerëzit e mbarë botës dhe t’u sigurojë atyre më shumë lehtësi, në mënyrë që njerëzit e botës të mund të vijnë lehtësisht në Iran dhe të përdorin mundësitë e tij.”
Më tej ai shtoi: “Nëpërmjet këtij vendimi, qeveria me një lëvizje të tillë neutralizoi shumë fushata shpifëse, thashetheme dhe iranofobinë, si një nga marifetet e sistemit arrogant perëndimor për t’u përballur me Iranin dhe ne duhet të jemi në gjendje t’i bëjmë ballë këtij truku. Qeveria miratoi propozimin e Ministrisë së Turizmit për anulimin e njëanshëm të vizave për qytetarët nga 32 vende të përcaktuara.”
Në fund, Ministri i Trashëgimisë Kulturore, Turizmit dhe Artizanatit, Ezzatollah Zarghami u shpreh: “Për vite me radhë bota dhe Bashkimi Evropian kanë krijuar unitet në fushën e komunikimit dhe turizmit me vizën Shengen dhe, së fundmi, edhe vendet e Gjirit Persik i përcaktuan vetes viza të tilla; dhe është për t’u vlerësuar shumë që kjo qeveri, nëpërmjet vlerësimit, guximit dhe njohjes së të gjitha nevojave, i ka kushtuar vëmendje kësaj çështjeje duke shfrytëzuar rëndësinë e turizmit. Turizmi është e drejta e të gjithë njerëzve në botë dhe Irani është vendi më spektakolar në këtë fushë.”