Dhjetor 14, 2023 19:59 Europe/Tirane
  • BE hap negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë! Gjeorgjisë i jepet statusi i ‘vendit kandidat’

Bashkimi Europian ka hapur negociatat e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Lajmi u bë me dije nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”. Gjithashtu bëri me dije se Gjeorgjisë i është dhënë statusi i vendit kandidat.

Ndërsa sa i takon hapjes së negociatave me Bosnje Hercegovinën, Michel shprehet se kjo do të ndodhë kur vendi të arrijë shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

“Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. #EUCO i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. Edhe BE-ja do të hapë negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën sapo të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe ka ftuar komisionin të raportojë deri në mars me synimin për të marrë një vendim të tillë. Një sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”- shprehet Michel.

Për këtë vendim, ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili e konsideroi këtë si një rezultat që arrihet nga ata që nuk lodhen kurrë duke luftuar. Ndërkohë, i përgëzoi të gjithë ukrainasit për lajmin.

Duhet theksuar se ky është një rast i pazakontë në historinë e Bashkimit Evropian sa i takon procedurave të përshpejtuara për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE. Ukraina ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në fund të shkurtit 2022. Në qershor të 2022 së bashku me Moldavinë mori statusin e vendit kandidat. Ndërsa më shumë se një vit më pas, tashmë ka siguruar hapjen e negociatave.

Ndërkohë që vendeve të tjera, si atyre të Ballkanit Perëndimor, u janë dashur vite të tëra për të bërë përparime të tilla.

 

Tags