Dhjetor 17, 2023 08:32 Europe/Tirane
  • Zyrtari i lartë: Marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite janë në drejtimin e duhur

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit për Çështjet Politike, Ali Bagheri-Kani, tha se në kuadrin e marrëveshjes së Pekinit midis tre zyrtarëve të lartë të Iranit, Kinës dhe Arabisë Saudite, një komitet i përbashkët trepalësh do të formohet çdo gjashtë muaj për të shqyrtuar perspektivat e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Ali Bagheri-Kani, lidhur me rezultatet e takimit trepalësh në Pekin mes Iranit, Kinës dhe Arabisë Saudite theksoi se “Takimi ishte shumë i mirë dhe në takimin e Pekinit u diskutuan çështje konstruktive dhe të dobishme”.

Diplomati i lartë Iranian, gjithashtu, në përgjigje të pyetjes së gazetarit të agjencisë Iran Press në Pekin për natyrën e marrëdhënieve Teheran-Rijad, theksoi se marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite kanë hyrë në drejtimin e duhur dhe se të dy vendet po punojnë me vullnet serioz për përmirësimin e marrëdhënieve Teheran-Rijad.

Bagheri-Kani ka theksuar se Irani dhe Arabia Saudite kanë kapacitete të mira për të zgjeruar dhe promovuar marrëdhëniet dypalëshe dhe e rëndësishme është që këto marrëdhënie nuk do të kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërmjet Teheranit dhe Rijadit dhe se pasojat pozitive të marrëdhënieve dypalëshe do të ndikojnë në rajon dhe zhvillimet botërore.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit për Çështjet Politike tha: “Irani dhe Arabia Saudite janë dy vende të mëdha me rezerva energjetike dhe në këtë kuptim, ato kanë një pozitë të veçantë në botë mbi të cilën mund të mbështeten”.

Bagheri shtoi se Irani dhe Arabia Saudite janë dy vende bregdetare në veri dhe në jug të Gjirit Persik të cilat po luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë rajonale dhe se dimensionet e marrëdhënieve Iran-Saudi janë të gjera.

Diplomati iranian është shprehur gjithashtu se me ndërmjetësimin e Kinës në marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite është hapur një faqe e re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe po demonstrohet fuqia e multilateralizmit (marrëdhënieve shumëpalëshe).

Bagheri-Kani ka theksuar se bota nuk do të presë më ndërhyrjen e njëanshme shkatërruese të Shteteve të Bashkuara dhe se Kina do të përpiqet të tregojë një fytyrë të re të multilateralizmit në arenën ndërkombëtare me kapacitetet e saj dhe se Irani e mirëpret këtë rol që luan Kina.

Gjatë një udhëtimi dyditor në Pekin, zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Çështjet Politike, teksa merrte pjesë në takimin e dytë trepalësh të Iranit, Kinës dhe Arabisë Saudite, zhvilloi konsultime shumë të rëndësishme me zyrtarë të rangut të lartë të politikës kineze.

Irani, Kina dhe Arabia Saudite, duke theksuar nevojën për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajonin e Azisë Perëndimore dhe të Gjirit Persik, ranë dakord për vazhdimin e synimeve të përbashkëta të vendosura nga krerët e tre vendeve për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Iranit dhe Arabisë Saudite sa më shumë që të jetë e mundur, krahas zgjerimit maksimal të bashkëpunimit trepalësh me Kinën në dimensione të ndryshme politike dhe ekonomike.

 

Tags