Dhjetor 30, 2023 09:39 Europe/Tirane
  • Irani thotë se trojka E3 dhe SHBA duhet të ndalojnë presionin mbi programin e tij bërthamor

Irani thotë se Franca, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të heqin dorë nga lëshimi i deklaratave dhe të mos ushtrojnë presion të pafrytshëm mbi Teheranin dhe, në vend të kësaj, të ndërmarrin hapat e nevojshëm politikë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Naser Kan‘ani e bëri deklaratën të premten si reagim ndaj një deklarate të përbashkët të lëshuar të enjten nga tre palët evropiane në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 - Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) - dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarata perëndimore ka dënuar atë që pretendohet të jetë një rritje nga Irani të shkallës së prodhimit të uraniumit shumë të pasuruar me pastërti deri në 60%.

Si gjithmonë, zyrtari iranian nënvizoi natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit. Ai tha se Teherani ende beson se diplomacia është qasja më e mirë drejt heqjes së shqetësimeve joreale në lidhje me aktivitetet bërthamore paqësore iraniane.

“Tani topi është në fushën e SHBA-së dhe tre vendeve evropiane. Ata duhet të marrin vendimet e nevojshme politike duke hequr dorë nga politika e deklaratave dhe e presionit të pafrytshëm”, tha Kan‘ani.

“SHBA-ja dhe Trojka evropiane – e njohur edhe si E3 – janë larguar nga tryeza e bisedimeve”, kujtoi diplomati iranian. “Prandaj, ata nuk janë në pozitën e duhur të bëjnë asnjë koment për programin bërthamor të Iranit”, shtoi ai.

Pasurimi në nivel 60% në qendrat e pasurimit të Iranit ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë në përputhje me nevojat paqësore të vendit dhe plotësisht nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA/IAEA).

“Në vend që të ndiqnin një politikë fajësimi dhe të merrnin pozicione të motivuara politikisht, SHBA dhe E3 do të duhej të rishikonin më mirë performancën e tyre në lidhje me bisedimet për heqjen e sanksioneve në dy vitet e fundit dhe të vëzhgonin rezultatin e politikave të tyre jokonstruktive”, tha Kan‘ani.

Gjithashtu, zëdhënësi i MPJ të Iranit përsëriti qëndrimin e Iranit për vazhdimin e bashkëpunimit me IAEA.

“Kërkesat e njëanshme dhe mosgatishmëria për të korrigjuar masat e gabuara të marra nga vendet perëndimore nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes bërthamore”, tha zyrtari iranian.

Në maj 2019, një vit pasi SHBA-ja u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga JCPOA, Irani filloi të marrë ‘masa korrigjuese’ duke reduktuar angazhimet e tij sipas marrëveshjes, pasi trojka evropiane dështoi të përmbushte të tyret.

Teherani filloi të heqë gradualisht kufirin e vendosur në JCPOA për aktivitetet e tij bërthamore në intervale dymujore. Në atë kohë, Irani gjithashtu pohoi se nëse ekonomia iraniane do të mbrohej nga sanksionet, ai do të anulonte vendimin e tij bërthamor.

Në shtator, presidenti Ebrahim Raisi tha se pasurimi i uraniumit të Iranit në nivelin e pastërtisë prej 60% ishte në përgjigje të mungesës së angazhimit nga tre palët evropiane në JCPOA.

 

Tags