Janar 02, 2024 11:30 Europe/Tirane
  • Vendet e BRICS-it janë ftuar të marrin pjesë në eventet që do të mbahen nga Rusia

Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar vendet e BRICS-it të marrin pjesë aktive në eventet që do të mbajë Rusia si kryetare e grupit në vitin 2024, sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.

“Ndërsa Rusia merr kryesimin e saj, ajo pret me padurim të punojë në mënyrë produktive me të gjitha vendet në orbitën e BRICS”, theksoi Putin.

“Në total, mbi 200 evente të niveleve dhe llojeve të ndryshme do të mbahen në shumë qytete ruse si pjesë e kryesimit. Ne inkurajojmë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të interesuara për të bashkëpunuar me organizatën tonë, të marrin pjesë në to. Samiti i BRICS-it në qytetin Kazan, në tetor, do të jetë kulmi i kryesimit tonë”, shtoi ai.

Termi BRIC u krijua nga ekonomisti i "Goldman Sachs", Jim O’Neill në 2001 për të përshkruar rritjen befasuese të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës.

Blloku pati samitin e tij të parë në 2009 në Rusi. Afrika e Jugut u bashkua në vitin 2010. Në një samit të bllokut në Johanesburg, Afrika e Jugut, mbajtur nga 22 deri më 24 gusht 2023, pjesëmarrësit ranë dakord që Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe t’i bashkohen bllokut nga 1 janari 2024.

Të gjitha vendet anëtare të BRICS-it gëzojnë sovranitet të plotë dhe kanë interesat dhe prioritetet e tyre të jashtme politike. Respekti i ndërsjellë dhe përfitimi i ndërsjellë janë baza e dialogut dhe zhvillimit brenda BRICS-it.

 

Tags