Janar 06, 2024 07:52 Europe/Tirane
  • Ministri i Brendshëm: Irani arreston një numër të dyshuarish të lidhur me shpërthimet terroriste në Kerman

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, ka njoftuar arrestimin e një numri të të dyshuarve në lidhje me sulmet terroriste me bombë të 3 janarit në qytetin e Kermanit, ku u vranë mbi 80 persona.

Duke folur me gazetarët në qytetin juglindor të premten, ministri tha se forcat iraniane të sigurisë kishin gjetur ‘të dhëna të forta’ që çonin në vendndodhjen e autorëve të sulmeve terroriste.

Vahidi tha se forcat e inteligjencës dhe të sigurisë së Iranit kanë kontroll të plotë mbi këtë çështje.

“Të gjithë elementët e përfshirë në incidentin terrorist do të identifikohen dhe do të arrestohen patjetër”, tha ministri iranian.

Të premten, iranianët mbajtën një funeral masiv për viktimat e bombardimeve.

Një komandant i lartë ushtarak u zotua gjatë eventit se aparati i sigurisë do t’i gjejë kriminelët pas masakrës ‘kudo që të jenë’.

76 iranianë dhe 13 afganë ishin në mesin e të vdekurve. Shpërthimet u kryen pranë vendit të varrimit të komandantit të ndjerë të antiterrorit të Iranit, gjeneral-lejtnant Kasem Sulejmani, gjatë një ceremonie që shënonte përvjetorin e katërt të martirizimit të tij.

Në një deklaratë disa orë pas bombardimeve, Udhëheqësi i Revolucionit Islamik Ajetollah Sejid Ali Khamenei tha se autorët do të përballen me një dënim të përshtatshëm dhe një përgjigje të ashpër.

Terroristët takfiristë të ISIS-it morën përgjegjësinë për aktin e urryer në një deklaratë të postuar në kanalet e tyre në Telegram. ISIS-i tha se dy nga anëtarët e saj kishin shpërthyer brezat e tyre shpërthyes mes turmës.

Ndërkohë, të premten, zëvendësministri i brendshëm iranian, Majid Mir-Ahmadi tha se forcat e sigurisë kishin arrestuar individë në pesë qytete dhe pesë provinca në lidhje me sulmet terroriste. Ai tha se do të jepen informacione të hollësishme për këtë çështje.

Mir-Ahmadi vuri në dukje se sulmet u kryen nga dy terroristë, të cilët u vranë pasi shpërthyen veten.

 

Tags