Janar 07, 2024 10:51 Europe/Tirane
  • Anija luftarake Abu Mahdi al-Muhandis dhe 100 mjete detare sulmshpejtë i shtohen flotës detare të IRGC-së

Gjatë një ceremonie në qytetin port jugor të Iranit, Bandar Abbas, më 6 janar 2024 u inaugurua anija luftarake Abu Mahdi al-Muhandis dhe iu shtua flotës detare të IRGC-së.

Abu Mahdi al-Muhandis është emëruar sipas emrit të ish-zëvendëskreut të Njësive të Mobilizimit Popullor të Irakut, i cili u vra së bashku me komandantin e lartë antiterror iranian, gjeneral-lejtnantin Kasem Sulejmani në një sulm me dron amerikan të urdhëruar nga ish-presidenti Donald Trump në aeroportin e Bagdadit në fillim të janarit 2020.

Marina e Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) ka marrë në dorëzim një sërë pajisjesh ushtarake të dizajnuara dhe të prodhuara në vend, duke përfshirë luftanijen Abu Mahdi al-Muhandis, që përmban teknologji të sofistikuara për shmangien e radarëve si dhe 100 mjete detare që operojnë me sulm të shpejtë.

Ato u morën në dorëzim të shtunën gjatë një ceremonie ku morën pjesë shefi i IRCG-së, gjeneral-major Hossein Salami, shefi i Marinës së IRGC-së, kundëradmirali Alireza Tangsiri dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë dhe ushtarakë në qytetin portual iranian jugor, Bandar Abbas.

Duke folur në ceremoni, Tangsiri tha se “luftanija ka një qëndrueshmëri detare prej 14 ditësh dhe mund të lundrojë brenda një rrezeje prej 2000 miljesh detare pa u zbuluar nga radarët e armikut dhe sistemet e zbulimit. Ajo mbështetet në katër sisteme shtytëse të prodhuara në vend dhe mund të qëndrojë në det nën kushtet e forcës gjashtë si dhe të kryejë misione detare nën kushtet e forcës pesë, falë dizajnit të tij të avancuar të bykut (trupit, skeletit) të saj”, shtoi ai.

Tangsri tha se “tre kompani vendase të bazuara në njohuri janë përfshirë në prodhimin e anijeve për Marinën e IRGC-së”.

“U deshën 15 muaj që të prodhohej luftanija Abu Mahdi al-Muhandis”, shtoi ai.

“Specialistët iranianë në Marinën e IRGC-së janë të vendosur të prodhojnë të paktën tre luftanije të së njëjtit klas në më pak se një vit”, tha Tangsiri.

Midis 100 mjeteve detare që i bashkohen flotës detare të IRGC-së janë edhe anijet e klasit Tareq dhe të klasit Ashura, të pajisura me raketa Kowsar me rreze të mesme dhe raketa kundër anijeve.

“Anijet e klasit Tareq deri më tani mund të gjuanin vetëm raketa, por tani ato mund të lëshojnë raketa dhe predha me një rreze veprimi prej 180 kilometrash”, tha ai.

Komandanti tha se raketat Kowsar të montuara në anijet Ashura janë çiftuar me radarë tredimensionalë që mund të zbulojnë dhe rrëzojnë avionë armiqësorë, helikopterë dhe raketa lundrimi (kruiz) në lartësi të mëdha.

“Marina e IRGC-së, gjithashtu, mori në dorëzim të shtunën anije të reja zbulimi, mjete sulmi të shpejtë, si dhe anije torpedo të pajisura me sisteme lëshimi silurësh”, tha Tangsiri.

 

Tags