Janar 07, 2024 11:23 Europe/Tirane
  • Arrestohen 32 persona në lidhje me sulmin terrorist në Kerman

Prokurori i provincës Kerman, në jug të Iranit, njoftoi arrestimin e 32 personave në lidhje me rastin e sulmit terrorist në qytetin Kerman.

Sipas agjencisë së lajmeve IRIB, Mehdi Bakshi, prokurori i provincës Kerman, në një intervistë televizive dhënë të shtunën tha: “Në lidhje me çështjen e sulmit terrorist në Kerman janë arrestuar 32 persona, të cilët aktualisht po merren në pyetje”.  

Duke iu referuar zbulimeve të bëra para ceremonisë së katërvjetorit të martirizimit të gjeneralit Kasem Sulejmani, Bakhshi deklaroi: “16 bomba u zbuluan në mbarë provincën Kerman”.

Bakhshi, gjithashtu, deklaroi se “incidenti terrorist në Kerman po hetohet nga aspekte të ndryshme”, duke shtuar: “Njëri nga kamikazët në sulmin e Kermanit ishte nga Taxhikistani dhe po hetohet edhe identiteti i personave të tjerë”.

Sipas Bakhshit, “Dy kamikazë që synonin të vepronin gjatë ceremonisë mortore për dëshmorët e incidentit terrorist të Kermanit, u identifikuan para ceremonisë dhe u janë dorëzur organeve përkatëse të Inteligjencës”.

Bakhshi hodhi poshtë zërat se eksplozivët e përdorur gjatë sulmit ishin vendosur në kosha plehrash dhe se ato u shpërthyen nga distanca, duke thënë se “të dy shpërthimet e bombave u kryen nga persona kamikaze, njëri prej të cilëve ishte nga Taxhikistani.

Duke theksuar se terroristët nuk ishin në gjendje të vendosnin asnjë eksploziv brenda varrezave ku janë varrosur dëshmorët, prokurori tha: “Gjatë muajve të fundit, në të gjithë provincën Kerman janë arrestuar rreth 23 terroristë të ISIS-it të gatshëm për të kryer sulme vetëvrasëse”.

Prokurori vuri në dukje se provincës iu desh të përballej me një numër të madh kërcënimesh gjatë përvjetorit të martirizimit të Gjeneralit Sulejmani, mes raporteve për sulme të mundshme terroriste nga ISIS-i dhe kulti terrorist anti-iranian Muxhahedin-e-Khalq (MEK/MKO).

“Prandaj, e gjithë provinca u mobilizua për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të mundshëm”, tha ai.

Bakhshi shtoi se mobilizimi përfshinte Ministrinë e Inteligjencës, si dhe Organizatën e Inteligjencës së Gardës së Revolucionit Islamik, madje edhe Ushtrinë, e cila monitoronte edhe mjetet e vogla ajrore në një rreze prej disa kilometrash dhe kishte gjithashtu qen të posaçëm nuhatës për të zbuluar çdo eksploziv.

Prokurori hodhi poshtë pretendimet se përvjetori i këtij viti nuk kishte aq masa paraprake sigurie sa ai i një viti më parë.

Ai pohoi se ngjarja e këtij viti u shënua me më shumë masa parandaluese të sigurisë dhe u vendosën një numër më i madh i forcave të sigurisë, ndërkaq u përdorën në masë edhe kamerat termike dhe dronët e vëzhgimit.

Të mërkurën në mbrëmje (3 janar) në ceremoninë e 4-vjetorit të dëshmorit Gjeneral Kasem Sulejmani, ish-komandant i Forcës Kuds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe gjatë rrugës që të çon tek Varrezat e Dëshmorëve në Kerman, në jug të Iranit, dy shpërthime terroriste, për të cilat përgjegjësinë e ka marrë grupi terrorist ISIS. Shpërthimet lanë 89 persona të vdekur, mes të cilëve 22 nxënës, duke përfshirë 76 iranianë dhe 13 afganë, si dhe 286 të tjerë të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike.

 

Tags