Amnesty International mirëpret gjykimin e regjimit izraelit në Hagë
Amnesty International ka përshëndetur gjykimin e regjimit izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzën e kryerjes së gjenocidit kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës.
Amnesty të mërkurën e quajti ‘një hap të rëndësishëm përpara’ hedhjen në gjyq të regjimit sionist për shkelje të Konventës së Gjenocidit.
“Rreziku i shndërrimit të Gazës nga një burg i hapur në një varrezë të madhe po realizohet para syve tanë”, tha organi i të drejtave, duke shtuar se Amnesty International e sheh si detyrë ligjore të të gjitha vendeve të botës që të punojnë së bashku për të parandaluar gjenocidin në Rripin e Gazës.
Në nëntor, Amnesty madje i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) me bazë në Hagë që të hetojë mizoritë izraelite në territorin e bllokuar palestinez, duke thënë se kishte prova të mjaftueshme që tregojnë krime lufte në Gaza.
Regjimi sionist do të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në rastin e ngritur nga Afrika e Jugut për gjenocidin dhe krimet e luftës kundër kombit palestinez.
Gjykata do ta shqyrtojë ankesën përpara shqyrtimit të mëtejshëm. Ajo mund të vendosë për një pezullim urgjent të operacioneve ushtarake të regjimit kundër palestinezëve që kanë duruar sulme ajrore dhe granatime të pamëshirshme gjatë tre muajve të fundit, të cilat kanë marrë dhjetëra mijëra jetë të pafajshëm dhe e kanë kthyer Gazën në rrënoja.
Shumë vende, duke përfshirë Iranin, Pakistanin, Bangladeshin, Bolivinë, Jordaninë, Malajzinë, Maldivet, Namibinë dhe Nikaraguan e kanë mirëpritur padinë për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut në GJND. Belgjika është i vetmi vend evropian që ka shprehur mbështetjen e saj për rastin deri më tani.
“Belgjika nuk mund të qëndrojë e papërgjegjshme dhe të shikojë vuajtjet e mëdha njerëzore në Gaza. Ne duhet të veprojmë kundër kërcënimit të gjenocidit”, tha të mërkurën zëvendëskryeministrja e Belgjikës, Petra De Sutter.
Si Afrika e Jugut, ashtu edhe Izraeli janë nënshkrues të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948, e cila i jep Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë juridiksion ligjor mbi çështjen. Të gjithë nënshkruesit janë të detyruar jo vetëm të mos kryejnë gjenocid, por edhe ta parandalojnë dhe ta dënojnë atë.